Të qenit i/e sjellshëm me veten dhe me të tjerët është thelbësor për mirëqenien; dhe njëra nuk mund të ekzistojë pa tjetrën për të arritur ndjesinë më të mirë të mundshme.
Sipas studiuesve të Universitetit McGill në Kanada, njerëzit që tregojnë dhembshuri ndaj të tjerëve, kafshëve dhe vetes përjetojnë rezultate më të mira në mirëqenien e tyre sesa ata që tregojnë vetëm dhembshuri ndaj të tjerëve ose vetëm ndaj vetes.
Ky zbulim sfidon supozimin se kujdesi për të tjerët është gjithmonë i dobishëm psikologjikisht. Sipas studimit, dhembshuria “llogaritet” për mirëqenien vetëm kur shoqërohet edhe me dhembshuri ndaj vetes.
“Shumë njerëz, veçanërisht kujdestarët, edukatorët, profesionistët e shëndetësisë, prindërit dhe aktivistët, mund të jenë shumë të kujdesshëm ndaj të tjerëve, ndërkohë që janë të ashpër ose neglizhues ndaj vetes,” tha Bassam Khoury, autori kryesor i studimit në McGill.
Ai shtoi se studimi sugjeron se ky çekuilibër mund të lidhet me një shëndet më të dobët mendor, si nivele më të larta stresi dhe ankthi, krahasuar me njerëzit që ndiejnë dhembshuri si për veten, ashtu edhe për të tjerët.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se nivelet e ulëta të vetë-dhembshurisë shoqëroheshin me kënaqësi më të ulët ndaj jetës dhe izolim social.
Ndërkohë, personat që shfaqnin nivele vazhdimisht të larta dhembshurie ndaj vetes, ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj kafshëve, lidhen me funksionimin psikologjik më të përshtatshëm — një gjendje e shëndetit optimal mendor, qëndrueshmërisë emocionale dhe mirëqenies sociale.
Studiuesit shqyrtuan më shumë se 1,200 pjesëmarrës dhe i klasifikuan në grupe të ndryshme sipas “profileve të dhembshurisë”, bazuar në përgjigjet e tyre në pyetësorë që matnin dhembshurinë ndaj vetes, ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj kafshëve.
“Vetë-dhembshuria mund t’i ndihmojë njerëzit të rregullojnë emocionet e vështira, të ulin vetëkritikën dhe të krijojnë një ndjenjë sigurie të brendshme,” shtoi Khoury.
“Nuk është egoiste dhe as vetëkënaqësi; ajo është themeli për të ofruar kujdes të qëndrueshëm ndaj të tjerëve dhe për të qenë në gjendje të shtrijmë dhembshurinë ndaj të gjitha qenieve të ndjeshme,” shtoi ai. /skyweb.al
















