Kontratat kryesore të naftës, Brent dhe WTI amerikane, ranë me mbi 1% pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump për një armëpushim energjetik mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Me efekt të menjëhershëm, ka një “armëpushim energjitik” në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord”, deklaroi Trump në rrjetin Truth Social.
Njoftimi shkaktoi habi në Kiev. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se po kërkonte më shumë detaje, por theksoi se Ukraina e mbështet armëpushimin dhe se është e rëndësishme që edhe Rusia ta respektojë atë. Deklarata e Trump erdhi pasi ai i kërkoi Kievit të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse dhe kritikoi Zelenskyn.
Ndërkohë, çmimet e naftës u tërhoqën pas rritjes fillestare të shkaktuar nga sulmet e rebelëve Houthi ndaj Arabisë Saudite. Sulmet e fundjavës në Riad shkaktuan të paktën 12 viktima, ndërsa grupi i mbështetur nga Irani paralajmëroi se do të vazhdojë të godasë qendrat e transportit të mbretërisë.
Analistët vlerësojnë se tregjet po reagojnë më pak ndaj tensioneve gjeopolitike, përveç rasteve kur ato kërcënojnë drejtpërdrejt furnizimin me naftë, rrugët detare dhe kapacitetet e rafinimit. Megjithatë, tregu fizik mbetet i shtrënguar, duke mbajtur çmimin e Brent mbi 100 dollarë për fuçi.
Në tregjet financiare, bursat evropiane dhe kontratat e së ardhmes në SHBA nisën javën me rritje. Shumica e tregjeve aziatike gjithashtu shënuan fitime, të mbështetura nga rënia e çmimeve të naftës, ndërsa Seuli dhe Taipei u ndikuan negativisht nga humbjet e kompanive të teknologjisë dhe prodhuesve të çipave. /skyweb.al















