Punimet për ndërtimin e Bypass-it të Tiranës po vijojnë, ndërsa dy lotet e para të projektit, me një gjatësi prej 10 kilometrash, kanë kaluar mbi 50% të realizimit.
Aksi rrugor, i cili do të ketë një gjatësi totale prej 21 kilometrash, synon të lidhë drejtpërdrejt autostradën Tiranë–Durrës me atë Tiranë–Elbasan, duke shmangur kalimin përmes kryeqytetit dhe duke krijuar një nyje të rëndësishme për ndërlidhjen me Korridorin Blu.
Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, dhe drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektoi punimet në kantier, ku u njoh me ecurinë e projektit dhe financimin e segmenteve të tij.
Ministri Karakaçi bëri të ditur se 10 kilometrat e parë janë financuar dhe kontraktuar nga ARRSH, ndërsa për 11 kilometrat e mbetur parashikohet financim nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me një grant prej rreth 53 milionë eurosh.
“Është një segment shumë i rëndësishëm se bën ndërlidhjen ndërmjet autostradës Durrës–Tiranë me autostradën Tiranë–Elbasan. Lidhemi nga nyja e Kasharit dhe dalim në TEG, duke anashkaluar hyrjen në Tiranë. Këtu jemi në 10 kilometrat e parë, të cilat janë të financuara dhe kontraktuara nga ARRSH. Punimet kanë ecur mirë, jemi në nivelin e rreth 50% të punimeve të kryera në dy lotet që janë kontraktuar. Pjesa tjetër vijuese, sepse i gjithë aksi është 21 kilometra, pjesa vijuese 11 kilometra është me financim të BERZH-it, për të cilën ne kemi marrë dhe një grant 40%, rreth 53 milionë euro nga Korniza e Ballkanit Perëndimor për investime.
Ne presim që brenda tre mujorit të parë 2027 të miratojmë marrëveshjen e financimit me BERZH-in për të filluar edhe në segmentin e mbetur 11-kilometërshin, vijimin e punimeve.
Lotet që ka kontraktuar ARRSH-ja, jemi mbi 50% të nivelit të punimeve dhe ky është i rëndësishëm se ndërlidh dhe dy koncesionet e Korridorit Blu, Thumanë–Kashar me Kashar–Lekaj.
Brenda fundit të vitit fillojmë ndërtimin. Brenda muajit nëntor unë parashikoj shpronësimet e para të koncesionit Kashar–Rrogozhinë dhe brenda fundit të vitit fillojnë dhe punimet për këtë aks të rëndësishëm që ndërlidh pastaj të gjithë Korridorin Blu. Dhe në këtë kuptim edhe segmenti që sapo pamë, Bypass-i i Tiranës, shërben si valvul shumë e mirë, se përveçse dalim nga nevoja për të hyrë në Tiranë për çdo segment në jug, nga ana tjetër bën ndërlidhjen e Korridorit Blu”, u shpreh ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.
Përfundimi i këtij aksi pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin në kryeqytet, të shkurtojë kohën e udhëtimit dhe të krijojë një alternativë për automjetet që udhëtojnë drejt jugut dhe juglindjes së vendit.
Gjatë inspektimit, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te ndikimi që projekti pritet të ketë në zonat përreth, duke theksuar rritjen e vlerës së pronave dhe rëndësinë e procesit të shpronësimeve.
“Ajo që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh në këtë zonë është rritja e ndjeshme e vlerës së pronës së tyre, ndërkohë që pa diskutim çdo shpronësim do të bëhet ashtu si duhet, me transparencë sipas ligjit dhe ndërkohë do të jetë një aks që do ta çlirojë kryeqytetin nga një ngarkesë e tepërt, e cila është një ngarkesë e detyruar si pasojë e mungesës së këtij aksi, ku të gjithë futen në Tiranë. Kështu, një pjesë e fluksit do të vazhdojë lirshëm drejt jugut ose juglindjes, në varësi nga drejtimet, dhe pjesa tjetër do të ketë më shumë lirshmëri për të hyrë dhe për të dalë në kryeqytet”, theksoi Kryeministri.
Me ndërtimin e Bypass-it, pritet të krijohet një lidhje më e shpejtë mes akseve kryesore kombëtare, duke reduktuar fluksin e automjeteve që kalojnë përmes Tiranës dhe duke përmirësuar aksesin drejt Korridorit Blu.
















