Lutfi Dervishi
Nëse “Pasqyrë Albania” do të bëjë atë që premton emri i saj, – reflektim të halleve dhe problemeve,- ndoshta puna e parë është e thjeshtë: të vendosen përballë njëra-tjetrës ato që janë thënë me atë çfarë ka ndodhur.
Pra t’i lëmë për një moment mënjanë komentet, perceptimet, akuzat e opozitës madje edhe akuzat e organit të akuzës dhe le të shohim vetëm deklaratat, datat, afatet dhe rezultatet.
Receta e re që ofron sot qeveria si përgjigje ndaj pakënaqësisë është përmirësimi i komunikimit. Por një nga problemet e komunikimit publik në vend nuk është më ekzagjerimi i një arritjeje, është krijuar gradualisht një mënyrë komunikimi ku njoftimi për punën zë vendin e punës, inspektimi zë vendin e inagurimit, afati i ri fshin afatin e vjetër dhe premtimi i radhës i mbivendoset premtimit të pambajtur.
Mjaftojnë për këtë disa histori tejet të njohura për publikun edhe për shkak të komunikimit të dendur.
I. Treni që prej pesë vjetësh është pothuajse gati!
Në vitin 2021 u nënshkrua kontrata për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e degëzimit drejt Rinasit. Punimet do të zgjasnin 30 muaj dhe sipas këtij afati, treni duhej të qarkullonte në vitin 2023. Nuk qe e thënë të ndodhte.
Në tetor 2022, gjatë vizitës së Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, u dha një tjetër afat: fillimi i vitit 2024.
Në prill 2023 u fol përsëri për përfundimin gjatë vitit 2024. Në janar 2024, Hekurudha Shqiptare e zhvendosi afatin në tremujorin e parë të vitit 2025. Por edhe 2025 ia la vendin vitit pas ardhës.
Në shkurt 2026, HSH njoftoi se rreth 90% e punimeve ishin realizuar, se përfundimi parashikohej në dhjetor 2026 dhe testimi e operimi në tremujorin e parë të vitit 2027.
Më pas u shfaq një tjetër objektiv: fundi i vitit 2027. Gjashtë afate për të njëjtën hekurudhë!
Në një vend me sistem normal informimi, çdo afat i ri duhet të shoqërohej me dy sqarime elementare: pse nuk u respektua afati i mëparshëm dhe kush mban përgjegjësi për vonesën?
Në komunikimin propagandistik ndodh e kundërta; afati i ri paraqitet si lajm taze dhe historia nis nga e para.
Ndërkohë që linja ekzistuese, që prej shekullit të kaluar, prej vetëm 40 km ende nuk është në funksion, publikut i prezantohet një projekt shumë më i madh: hekurudha Durrës-Prishtinë, 180 km me dhjetëra ura dhe tunele dhe një kosto që shkon në miliarda euro. Këtu shfaqet një nga teknikat më të efektshme të propagandës moderne: e ardhmja përdoret për të harruar/konkurruar të tashmen.
II. 112 milionë euro që ende presin
Një histori tjetër është IPARD. Në korrik 2023, financimet e BE për Shqipërinë u bllokuan pas gjetjeve të OLAF për parregullsi serioze. OLAF rekomandoi që 33 milionë euro nga IPARD II të konsideroheshin të papranueshme dhe që 112 milionë euro të IPARD III të mos viheshin në dispozicion derisa Shqipëria të plotësonte kushtet e kërkuara.
SPAK nisi hetimet, ndërsa qeveria justifikimet.
Por, ndërkohë që fondet mbeten të bllokuara dhe hetimet vijojnë, nuk munguan afatet për rikthimin e fondeve.
Në mars 2024 u tha se skema do të ishte funksionale në vitin 2025.
Në nëntor 2024 u dha korriku 2025 si ngjarje e sigurte.
Në mars 2025 u fol për vitin 2026.
Në shkurt 2026 erdhi një premtim edhe më konkret: brenda gjashtë muajve. Gjashtë muajt ndërkohë kanë kaluar.
Ky rast bëhet më domethënës kur shihet përballë vendit fqinj, Maqedonisë së Veriut. Edhe atje pagesat e IPARD III u pezulluan. Por pas kontrolleve dhe masave të marra, në prill 2026 u njoftua miratimi për rifillimin e tyre. U deshën vetëm 3 muaj.
Pyetja nuk është vetëm pse Shqipëria ende nuk i ka fondet, por çfarë është bërë konkretisht gjatë tre viteve për të përmbushur kushtet që kërkohen për zhbllokimin e tyre?
Dhe, sërish, çfarë ndodh me përgjegjësinë për afatet e shpallura publikisht?
III. Një helikopter amerikan bëhet shqiptar
Ka raste kur hendeku mes realitetit dhe propagandës e kalon edhe oqeanin Atlantik.
Një video e një helikopteri që shuan një zjarr me precizion në Shtetet e Bashkuara u shpërnda sikur tregonte një operacion në Shqipëri. Videos iu shtua flamuri shqiptar dhe hashtag-u #nëkryetëdetyrës.
Këtu nuk kemi interpretim optimist të realitetit, por përdorimin e një realiteti tjetër.
IV. Turistja australiane
Në një rast tjetër, historia e një turisteje australiane që kishte marrë ndihmë mjekësore u kthye në material promovues. Por vetë turistja tregonte një histori pak më ndryshe: nuk kishte kërkuar publicitet dhe kishte pasur vështirësi të komunikonte me numrin e emergjencës 112.
Edhe këtu funksionon i njëjti mekanizëm; nga një histori me probleme reale përzgjidhet vetëm pjesa që i shërben mesazhit pozitiv.
Propaganda nuk ka gjithmonë nevojë të sajoje një ngjarje mjafton të heqë rrudhat nga porteti Udheheqesit siç bënte, personazhi i Kadaresë, fotografi Xan tek “Dimri i Madh”
E njëjta logjikë shihet në videot e inspektimeve. Kantieret inspektohen vazhdimisht dhe thuhet se punohet gjithmonë “me ritme të larta”. Kamera, e vetë institucionit, dokumenton ministrin në kantier, makineritë në punë dhe përqindjet e realizimit detyrës.
Ajo që kamera nuk tregon është data kur rruga duhej të kishte përfunduar, kur mund të përfundojë dhe koston e saj.
Po çmimet?
Këtu “Pasqyra” mund të bëhet edhe më interesante.
Qeveria e Malit të Zi, për t’u ardhur në ndihmë konsumatorëve, uli akcizën mbi karburantet. Qeveria greke në bashkëpunim me industrinë dhe furnitorët morën nismen për të ulur çmimet në super markete. Qytetaret atje mund ta diskutojë nëse masat e marra janë të mjaftueshme, por efekti i ndërhyrjes shfaqet drejtpërdrejt në çmim.
Në Shqipëri, përgjigjja ndaj protestës qytetare që ka hyrë në muajin e katërt është dëgjimi dhe ndjekja e hallit të qytetarit.
Në fund të gushtit, kryeministri e përshkroi “Pasqyrë Albania” si një sistem ku kërkesa e qytetarit do të mund të ndiqet në kohë reale, pothuajse si një pako postare. Paralelisht, ministrave, deputetëve dhe drejtuesve politikë u është kërkuar një prani më e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme në territor.
Problemi është se kostoja e jetesës nuk ulet me seanca dëgjimore sepse, çmimi i karburantit, energjisë, ushqimeve apo banesave ndikohet nga taksat, konkurrenca, rregullimi, politikat sociale dhe vendimet ekonomike.
Komunikimi mund ta bëjë qytetarin të ndihet se dikush po e dëgjon, por nuk e bën domosdoshmërisht më pak të varfër.
Propaganda si sistem qeverisjeje
Të katër historitë e përmendura më sipër duken të ndryshme.
Një hekurudhë që i ngjan historisë së kalasë së Rozafës; fondet e BE që nuk zhbllokohen, një helikopter amerikan i paraqitur si shqiptar, një politikë ekonomike që zëvendësohet me komunikim- të gjitha kanë një emërues të përbashkët: hendekun mes asaj që ndodh dhe mënyrës si paraqitet ajo që ndodh.
Propaganda tradicionale përpiqej ta bindte publikun se qeveria kishte të drejtë, propaganda moderne është më e sofistikuar. Ajo krijon një perrua njoftimesh, videosh, inspektimesh, platformash, afatesh, objektivash dhe projektesh të reja, sa bëhet gjithnjë e më e vështirë të kujtosh se çfarë u premtua dje.
Problemi nuk është më vetëm se qeveria komunikon shumë, por se komunikimi bëhet mjet për t’i ikur përgjegjshmërisë dhe përgjegjësisë
Hekurudha nuk përfundoi në 2023? Punë e madhe flasim për 2024. Nuk përfundoi në 2024? Flasim për 2025. Nuk përfundon me 2026, ka plot vite përpara.
IPARD nuk u zhbllokua? Jepet një afat i ri. Rruga nuk përfundoi? Bëhet një tjetër inspektim. Ka probleme me shërbimet? Krijohet një platformë e re digjitale.
Cila është zgjidhja kur realiteti bëhet gjithnjë e më i vështirë? Zgjidhja mbetetet tek e ardhmja. Këtu propaganda i ngjan anekdodes se vjetër me tabelën: “Sot me pagesë, nesër veresie”.
Çfarë pengon që për çdo projekt publik të tregohet jo vetëm çfarë po premtohet sot, por edhe çfarë ishte premtuar dje. Afati fillestar, kosto fillestare, afatet e ndryshuara, kosto përfundimtare, arsyet e vonesës.
Dhe…pse jo personin ose institucionin përgjegjës. Atëherë po do të kishim vërtet një pasqyre reale dhe jo të deformuar të punëve të Shqipërisë.
mund te jete edhe ne shqip: Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit MediaLit, i cili zbatohet nga Centre for Civic Education (CGO) në partneritet me Helsinki Committee for Human Rights in Serbia, Helsinki Committee for Human Rights in North Macedonia, Tirana Centre for Journalistic Excellence në Shqipëri dhe Atlantic Initiative në Bosnjë dhe Hercegovinë. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian dhe bashkëfinancohet nga Ministria e Zhvillimit Rajonal dhe Investimeve dhe e Bashkëpunimit me OJQ-të e Qeverisë së Malit të Zi. Përmbajtja e këtij teksti është përgjegjësi vetëm e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e CGO-së, të organizatave partnere, të Bashkimit Evropian apo të Ministrisë.
![]()
















