Transfertat e parave nga një bankë në tjetrën në Shqipëri do të kryhen brenda vetëm 10 sekondash, pavarësisht orarit të punës, fundjavave apo festave zyrtare. Sistemi i ri kombëtar i pagesave të menjëhershme ka nisur funksionimin këtë të hënë, më 23 nëntor, duke sjellë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e qarkullimit të parasë.
Platforma e re mundëson transferimin e fondeve ndërmjet institucioneve të ndryshme financiare pothuajse në kohë reale, ndërsa përfituesi do t’i ketë paratë në dispozicion brenda pak sekondash.
Deri më tani, transfertat e menjëhershme mund të kryheshin kryesisht ndërmjet llogarive të së njëjtës bankë. Nëse dërguesi dhe përfituesi kishin llogari në institucione të ndryshme, procesi mund të zgjaste disa orë ose deri në një ditë pune.
Sistemi i ri, i quajtur IPSA, është ndërtuar sipas modelit europian TIPS dhe mundëson përpunimin e pagesave 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, gjatë gjithë vitit.
Sipas kuadrit të miratuar nga Banka e Shqipërisë, platforma parashikon kryerjen e pagesave në lekë dhe euro, me një kohë maksimale ekzekutimi prej 10 sekondash nga pranimi i urdhrit të pagesës.
Kjo do të thotë se qytetarët dhe bizneset nuk do të duhet të presin më hapjen e bankave apo ditën pasardhëse të punës për të marrë fondet e transferuara përmes sistemit të ri.
Por ndryshimet nuk përfundojnë me transfertat bankare.
Banka e Shqipërisë po përgatit edhe një sistem kombëtar pagesash përmes kodeve QR, i cili do t’u mundësojë konsumatorëve të paguajnë në dyqane, restorante dhe biznese të tjera duke përdorur telefonin celular.
Me këtë mekanizëm, blerësi do të skanojë kodin QR të tregtarit dhe shuma përkatëse do të transferohet drejtpërdrejt nga llogaria e tij në atë të shitësit.
Ndryshe nga pagesat me karta bankare, që kalojnë përmes skemave ndërkombëtare të pagesave dhe mund të kërkojnë kohë për shlyerjen përfundimtare, sistemi i ri synon që paratë të mbërrijnë te tregtari brenda pak sekondash.
Një tjetër përfitim i pritshëm është ulja e kostove për bizneset, veçanërisht për pagesat e vogla, ku komisionet e terminaleve POS shpesh përbëjnë një pengesë për pranimin e pagesave elektronike.
Sistemi kombëtar QR do të jetë i unifikuar dhe synon të funksionojë ndërmjet aplikacioneve të institucioneve të ndryshme financiare, pa e kushtëzuar pagesën me përdorimin e së njëjtës bankë nga blerësi dhe shitësi.
Ndërkohë, ndryshimet rregullatore të miratuara më herët nga Banka e Shqipërisë kanë përjashtuar nga komisionet pagesat elektronike në lekë deri në 40 mijë lekë për qytetarët, ndërsa tarifat për transfertat me vlera më të larta janë reduktuar ndjeshëm.
Modernizimi i sistemit të pagesave synon të nxisë përdorimin e shërbimeve bankare digjitale, të reduktojë qarkullimin e parasë fizike dhe të ulë kostot e transaksioneve për ekonominë shqiptare.
Platforma është pjesë e një projekti rajonal të zhvilluar me mbështetjen teknologjike të Bankës së Italisë, sipas standardeve europiane të pagesave të menjëhershme.















