Familjet, bizneset dhe institucionet publike do të mund të financojnë investime për uljen e konsumit të energjisë dhe ta shlyejnë koston e tyre gradualisht, përmes kursimeve që realizohen në faturat e energjisë.
Ky është një nga mekanizmat kryesorë të projektligjit të ri “Për eficiencën energjetike”, të miratuar nga qeveria dhe të paraqitur në Kuvend, i cili parashikon rikrijimin e Fondit Kombëtar për Eficiencën e Energjisë.
Fondi do të financojë ose bashkëfinancojë ndërhyrje që ulin konsumin e energjisë, si izolimi termik i ndërtesave, përmirësimi i sistemeve të ngrohjes dhe ftohjes, zëvendësimi i pajisjeve joeficiente dhe modernizimi energjetik i objekteve publike e private.
Risia qëndron te mënyra e kthimit të financimit. Në vend që përfituesi të paguajë menjëherë të gjithë investimin, fondi mund të mbulojë koston fillestare dhe më pas ta rikuperojë atë përmes kësteve të bazuara në kursimet e energjisë.
Sipas nenit 42 të projektligjit, marrëveshjet për shërbime energjetike mund të lidhen me persona fizikë ose juridikë, publikë apo privatë, ndërsa periudha maksimale e shlyerjes nuk mund të tejkalojë 15 vjet.
Për shembull, nëse një ndërtesë publike investon në izolim termik, ndriçim më ekonomik dhe sisteme moderne ngrohjeje, ulja e shpenzimeve të energjisë mund të përdoret për të financuar kthimin gradual të investimit.
Marrëveshja do të përcaktojë vlerën e investimit, kursimet e parashikuara, numrin e kësteve, shumën e tyre dhe afatin e shlyerjes.
Një element i rëndësishëm është se kthimi i financimit do të mbështetet në kursimet e verifikuara, sipas një metodologjie që duhet të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Nëse çmimet e energjisë ndryshojnë, marrëveshja mund të parashikojë përshtatjen e kësteve ose të periudhës së shlyerjes, por pa e tejkaluar kufirin maksimal prej 15 vitesh.
Megjithatë, kjo skemë nuk përbën subvencion falas. Përfituesi ka detyrimin të kthejë financimin sipas kushteve të kontratës, ndërsa kursimet shërbejnë si bazë për përcaktimin e pagesave.
Grante dhe kredi të lehtësuara për familjet
Përveç financimeve që shlyhen me këste, projektligji parashikon edhe forma të tjera mbështetjeje për familjet dhe bizneset.
Fondi do të ketë mundësi të ofrojë grante, subvencione, produkte të posaçme kreditimi, garanci financiare dhe instrumente për ndarjen e rrezikut.
Një pjesë e programeve do të synojë veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta dhe ato që përballen me varfëri energjetike, të cilat kanë vështirësi për të përballuar kostot e ngrohjes, ftohjes dhe energjisë në banesa.
Për këto kategori parashikohen edhe instrumente të posaçme financimi, përfshirë grantet, me qëllim që mungesa e të ardhurave të mos pengojë përmirësimin e kushteve energjetike të banesave.
Megjithatë, projektligji nuk përcakton ende sa do të jetë vlera e granteve, përqindja e subvencionimit apo kufijtë e të ardhurave për familjet përfituese. Këto kushte do të detajohen përmes programeve konkrete dhe akteve zbatuese.
Rikthehet Fondi Kombëtar, si do të sigurohen paratë?
Fondi Kombëtar për Eficiencën e Energjisë ishte parashikuar fillimisht në legjislacionin e vitit 2015, por dispozitat për funksionimin e tij u shfuqizuan në vitin 2021.
Me projektligjin e ri, ai propozohet të rikrijohet si agjenci autonome, me seli në Tiranë dhe veprimtari në të gjithë territorin, nën mbikëqyrjen funksionale të ministrisë përgjegjëse për energjinë.
Fondi do të funksionojë përmes dy komponentëve financiarë. I pari do të jetë qarkullues, ku paratë e kthyera nga investimet do të përdoren për financimin e projekteve të tjera.
Komponenti i dytë do të shërbejë për grantet, garancitë dhe format e tjera të mbështetjes që nuk funksionojnë përmes të njëjtit mekanizëm rikthimi.
Burimet e financimit do të përfshijnë buxhetin e shtetit, donacionet, institucionet financiare ndërkombëtare, huatë, si dhe të ardhurat nga kthimi i investimeve të realizuara.
Një burim tjetër parashikohet të jenë kontributet e kompanive që do të përfshihen në skemën e detyrueshme të kursimit të energjisë.
Sipas nenit 10, këto subjekte do të duhet të realizojnë objektiva të caktuara kursimi te konsumatorët fundorë. Projektligji u jep mundësinë që një pjesë ose të gjithë detyrimin ta përmbushin përmes pagesave në Fondin Kombëtar, sipas rregullave dhe normës që do të përcaktohen nga qeveria.
Në këtë mënyrë synohet të krijohet një burim financimi që mund të mbështesë vazhdimisht investime të reja për uljen e konsumit të energjisë.
Projektligji përcakton gjithashtu objektiva kombëtare kursimi, duke parashikuar një nivel vjetor prej 1.5% për periudhën 2026–2027 dhe 1.9% për periudhën 2028–2040, të llogaritura mbi bazën e konsumit të përcaktuar në ligj.
Megjithatë, zbatimi i reformës do të kërkojë ngritjen dhe funksionalizimin e Fondit, miratimin e rregullave të financimit dhe përcaktimin e projekteve që do të mbështeten.
Sipas relacionit shoqërues, kostoja e plotë e zbatimit nuk është përcaktuar ende, pasi një pjesë e masave financiare dhe detyrimeve do të konkretizohen përmes akteve nënligjore dhe programeve të financimit.
Nëse skema funksionon, ajo mund të krijojë mundësi që investime të cilat sot kërkojnë shpenzime të konsiderueshme fillestare të realizohen pa e përballuar menjëherë të gjithë koston.
Megjithatë, përfitimi real do të varet nga kushtet e financimit, kursimet që mund të garantohen dhe aftësia e Fondit për të siguruar burime të mjaftueshme për familjet, bizneset dhe institucionet publike.















