Me një ndjenjë ankthi në stomak, familjet dhe industritë në gjithë Evropën po shohin çmimet e gazit dhe koston e furnizimit të automjeteve me karburant që po rriten ndjeshëm, shkruan BBC.
Ndërsa qeveria e Mbretërisë së Bashkuar u ka thënë votuesve pak a shumë të qëndrojnë të qetë dhe të vazhdojnë përpara, Komisioni Evropian – krahu ekzekutiv i BE-së – u ka bërë thirrje njerëzve të punojnë më shumë nga shtëpia dhe të udhëtojnë shumë më pak.
Politikëbërësit paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më shumë – në varësi të asaj që ndodh më pas në Lindjen e Mesme. Megjithatë, duket sikur ishte vetëm dje që evropianët përballeshin me një krizë të kostos së jetesës, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë dhe inflacionit pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.
Kjo do të thotë se diskutimet në Evropë po rikthehen (sërish) te çështja e pavarësisë energjetike.
Dhe energjia bërthamore duket se është rikthyer në modë si pjesë e një përzierjeje energjie të prodhuar brenda Evropës – si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në BE. Por sa shpejt mund të jetë një zgjidhje energjia bërthamore – dhe sa e sigurt dhe e besueshme është ajo në të vërtetë? Në samitin e fundit evropian për energjinë bërthamore në Paris, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen – e cila ndoshta harroi se ishte ministre në qeverinë gjermane kur u mor vendimi për mbylljen e centraleve bërthamore në vitin 2011 – e përshkroi kthimin e shpinës nga energjia bërthamore si një “gabim strategjik”.
Në vitin 1990, Evropa prodhonte rreth një të tretën e energjisë elektrike nga energjia bërthamore. Sot kjo ka rënë në një mesatare prej 15%, duke e lënë kontinentin “plotësisht të varur nga importet e shtrenjta dhe të paqëndrueshme” të karburanteve fosile, tha ajo, duke e vendosur Evropën në disavantazh krahasuar me rajone të tjera të botës. Evropa importon më shumë se 50% të energjisë së saj, kryesisht naftë dhe gaz.
Kjo e bën kontinentin të ndjeshëm ndaj reduktimeve të papritura të furnizimit, siç ndodhi me Rusinë pas vendosjes së sanksioneve nga Evropa, ose ndaj rritjeve të çmimeve në tregun global, siç po ndodh tani për shkak të kufizimit të eksporteve të energjisë nga Irani përmes Ngushticës së Hormuzit.
Çmimet e gazit rriten në mënyrë të ngjashme në gjithë Evropën, por ndikimi në çmimet e energjisë elektrike ndryshon në varësi të përzierjes energjetike të çdo vendi.
Në Spanjë – e cila ka investuar shumë në energjinë e erës dhe diellit – çmimi mesatar i energjisë elektrike për pjesën e mbetur të vitit 2026 parashikohet të jetë rreth gjysma e atij në Itali, ku gazi përcakton çmimin e energjisë elektrike në 90% të rasteve.
Franca është prodhuesi më i madh i energjisë bërthamore në Evropë. Ajo gjeneron rreth 65% të energjisë së saj elektrike nga burime bërthamore. Bazuar në kontratat e ardhshme, çmimet e energjisë elektrike në Gjermani për muajin e ardhshëm janë pesë herë më të larta se ato të Francës – një kontrast tronditës.
Gjermania hoqi dorë nga energjia bërthamore pas katastrofës në Fukushima në vitin 2011 në Japoni. Kjo i la industritë energji-intesive që tradicionalisht mbështesin ekonominë gjermane – si industria e makinave dhe kimike – shumë të varura nga gazi.
Këtë javë, institutet kryesore të kërkimit ekonomik në Berlin më shumë se përgjysmuan parashikimet e rritjes për vitin 2026 në 0.6% të PBB-së, për shkak të rritjes globale të çmimeve të gazit.
Një entuziazëm i ri për energjinë bërthamore është i dukshëm në Evropë: Italia po përgatit ligje për të hequr ndalimin e saj të hershëm; Belgjika duket se po bën një kthesë të plotë pas viteve hezitimi; Greqia ka hapur një debat publik mbi reaktorët e avancuar; Suedia ka përmbysur një vendim katërdekadësh për ta braktisur këtë teknologji; ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar janë thjeshtuar rregulloret për të përshpejtuar projektet bërthamore.
“Për të ndërtuar qëndrueshmëri kombëtare, për të siguruar energjinë dhe për të nxitur rritjen ekonomike, na duhet energjia bërthamore,” tha kancelarja Rachel Reeves.
Sondazhe të reja tregojnë mbështetje në rritje për energjinë bërthamore në Skoci, me shumicën që tani e mbështesin atë si pjesë të furnizimit energjetik.
Franca është padyshim mbështetësja më e zëshme. Presidenti Emmanuel Macron thekson vazhdimisht se energjia bërthamore është me emetime të ulëta karboni dhe mund të ndihmojë BE-në të arrijë objektivat e saj për neutralitet klimatik.
Ai theksoi gjithashtu kërkesën në rritje për energji nga inteligjenca artificiale dhe besimin e tij se energjia bërthamore mund t’i japë Evropës një avantazh konkurrues.
Megjithatë, energjia bërthamore nuk është një zgjidhje magjike.
Zhvillimi i saj është një projekt afatgjatë, jo një zgjidhje e menjëhershme për krizën aktuale energjetike.
Ndërtimi i reaktorëve mund të vonohet shumë, siç kanë treguar rastet në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Problemet me menaxhimin e mbetjeve dhe shqetësimet për sigurinë vazhdojnë. Gjithashtu, investimet në energjinë bërthamore mund të largojnë vëmendjen dhe fondet nga energjitë e rinovueshme.
Shumë reaktorë ekzistues janë të vjetër dhe kërkojnë investime të mëdha vetëm për mirëmbajtje. Nëse qeveritë duan të rrisin përdorimin e energjisë bërthamore, u duhet shumë kohë dhe shumë para.
Ndërkohë, energjia bërthamore po humbet terren në çmim përballë energjisë së erës dhe diellit, kostot e të cilave janë ulur ndjeshëm.
Për këtë arsye, Komisioni Evropian po mbështet fort reaktorët modularë të vegjël (SMR), të cilët konsiderohen më ekonomikë dhe më fleksibël. Ata mund të prodhohen në seri dhe janë të përshtatshëm për qendra të të dhënave dhe prodhim hidrogjeni.
BE ka shpallur një paketë investimi prej 330 milionë eurosh për këtë teknologji, me synimin që të jetë funksionale në fillim të viteve 2030. Megjithatë, këto teknologji ende nuk janë provuar në shkallë të gjerë tregtare.
Edhe kërkimi për energjinë e fuzionit bërthamor po merr vëmendje, me synimin për të ndërtuar centralin e parë komercial në të ardhmen.
Por për momentin, shumica e Evropës ende mbështetet te importet e karburanteve fosile.
Është qartë në interesin e kontinentit të bëhet më i pavarur energjetikisht, për të mos qenë i varur nga faktorë të jashtëm dhe të paqëndrueshëm.
Qeveritë evropiane e shohin energjinë bërthamore si pjesë të zgjidhjes afatmesme dhe afatgjatë. Por për sfidat e sotme, zgjidhjet mbeten më komplekse.
















