Një tjetër problem i shtohet trafikut ajror në Europë këtë të enjte, pasi një grevë e kontrollorëve të trafikut ajror në Itali po shkakton ndërprerje dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore të vendit.
Greva zhvillohet sot, më 10 prill, dhe është shpallur në nivel kombëtar nga personeli i ENAV, kompania që menaxhon trafikun ajror në Itali. Ajo zgjat 4 orë, nga ora 13:00 deri në 17:00, periudhë gjatë së cilës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në nisjet dhe mbërritjet e fluturimeve.
Sipas të dhënave nga autoritetet italiane, ndikimi përfshin disa nga aeroportet më të rëndësishme të vendit, përfshirë:
Romën (Fiumicino dhe Ciampino), Milanon (Malpensa dhe Linate), Bergamon (Orio al Serio), Napolin, Bolonjën, Torinon, Venecian dhe Firencen.
Në këto aeroporte priten vonesa të konsiderueshme dhe anulime të pjesshme të fluturimeve, sidomos gjatë intervalit të grevës, ndërsa kompanitë ajrore mund të detyrohen të rishikojnë oraret për të menaxhuar situatën.
Megjithatë, sistemi ajror italian parashikon edhe fashat e garantuara të shërbimit, konkretisht në oraret 07:00–10:00 dhe 18:00–21:00, gjatë të cilave fluturimet duhet të operojnë normalisht.
Kjo grevë vjen në një moment të ndjeshëm për transportin ajror në Europë, i cili tashmë po përballet me tensione për shkak të krizës së karburantit dhe rritjes së kostove operative, duke shtuar pasigurinë për udhëtarët.
Autoritetet u bëjnë thirrje pasagjerëve që të verifikojnë statusin e fluturimeve përpara nisjes dhe të paraqiten në aeroport më herët se zakonisht, për të shmangur problemet që mund të lindin gjatë ditës. /skyweb.al















