Brezi i njohur si “Baby Boomers”, i cili ka ndikuar fuqishëm zhvillimet shoqërore dhe ekonomike për dekada, po hyn në një fazë të re: të parët e këtij brezi po mbushin 80 vjeç. Mes tyre është edhe Donald Trump, shkruan Wall Street Journal.
Ndërsa numri i personave mbi 80 vjeç po rritet ndjeshëm, kjo gjeneratë synon të ndryshojë mënyrën se si konceptohet dhe përjetohet mosha e tretë. Ata kërkojnë përmirësime në sistemet shëndetësore, më shumë alternativa për strehim dhe investime të mëdha në kërkime për sëmundje si Dementia.
Një nga çështjet më të diskutuara është edhe e drejta për të vendosur mbi fundin e jetës, duke shtyrë debatet për politikat dhe etikën në shumë vende. Paralelisht, pritet që kërkesat e tyre të nxisin krijimin e profesioneve të reja dhe zhvillimin e produkteve të dedikuara për këtë grupmoshë.
Me një fuqi të konsiderueshme blerëse, “Baby Boomers” pritet të ndikojnë ndjeshëm tregjet dhe ekonominë globale, duke orientuar investimet drejt inovacionit në shëndetësi, mirëqenie dhe jetesë për të moshuarit.
Ky brez, i cili dikur sfidoi normat e rinisë, tani po synon të rishkruajë rregullat e pleqërisë për veten dhe për brezat që do të vijnë. /skyweb.al
















