Në një berberhane të vogël në Brixton, në jug të Londrës, jeta e burrave po ndryshon. Jo vetëm përmes një modeli të ri flokësh apo rregullimit të mjekrës, por edhe duke folur hapur për shëndetin e tyre mendor.
“Burrat u besojnë berberëve dhe shpesh ndajnë me ta gjëra për të cilat ndoshta nuk do të flisnin me partneret apo miqtë e tyre”, tha për Euronews Health Ben Theophanous, pronar dhe bashkëthemelues i Curfew Grooming.
“Marrëdhënia mes tyre është shpesh e fortë, por ka edhe një element sipërfaqësor që krijon një hapësirë unike për të ndarë ndjenjat”, shtoi ai.
Curfew Grooming është një nga më shumë se 100 berberhanet në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar që kanë përfituar nga trajnimi për ndihmën e parë në shëndetin mendor (MHFA), përmes fushatës “12th Man”. Kjo nismë komunitare u themelua në vitin 2013 nga infermieri i shëndetit mendor Nick Little dhe miku i tij i ndjerë, Oz Osborne.
Emri i fushatës vjen nga termi i futbollit që u referohet tifozëve të një skuadre. Nisma synon të mbështesë burrat duke e bërë bisedën për shëndetin mendor pjesë normale të jetës së përditshme.
Këto hapësira përfshijnë berberhanet dhe studiot e tatuazheve, ku ekziston tashmë një marrëdhënie e drejtpërdrejtë mes profesionistit dhe klientit. Punonjësit që dëshirojnë të bëhen pjesë e nismës ndjekin një kurs online, i cili i udhëzon se si të dallojnë shenjat që tregojnë se një klient mund të jetë duke përjetuar vështirësi, si të bëjnë pyetje domethënëse dhe si ta drejtojnë atë drejt burimeve të duhura të ndihmës, kur është e nevojshme.
“Ne thjesht po u besojmë burrave në shoqëri përgjegjësinë për t’u kujdesur për miqtë dhe familjarët e tyre, për ta njohur më mirë rëndësinë e shëndetit mendor në jetën e tyre dhe për të folur rreth tij”, tha Nick Little për Euronews Health.
Gati një në shtatë persona në mbarë botën jeton me një problem të shëndetit mendor. Megjithatë, burrat kanë më pak gjasa se gratë të kërkojnë ndihmë dhe, sipas Zyrës për Statistikat Kombëtare, kanë tri herë më shumë gjasa të vdesin nga vetëvrasja.
Ata që vendosin të kërkojnë ndihmë profesionale përballen me një tjetër problem: kohën e gjatë të pritjes. Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, sipas të dhënave të analizuara në vitin 2025 nga organizata bamirëse Rethink, personat që prisnin trajtim për shëndetin mendor përmes Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) kishin tetë herë më shumë gjasa të prisnin mbi 18 muaj, krahasuar me ata që prisnin trajtim për probleme fizike.
Gjithnjë e më shumë, nismat e drejtuara nga komuniteti po ndërhyjnë për të mbushur boshllëqet e sistemit, jo për të zëvendësuar shërbimet profesionale, por për të forcuar parandalimin përpara se njerëzit të arrijnë në një gjendje kritike.
“Le t’i besojmë shoqërisë dhe të investojmë te bizneset e komunitetit, sepse ato janë në vijën e parë të kontaktit”, tha Little.
Nisma të ngjashme, të bazuara në komunitet dhe të përqendruara te shëndeti mendor i burrave, po zhvillohen në të gjithë Evropën.
Në Danimarkë, shumë prej tyre janë frymëzuar nga projekti Vildmandsprojektet (Projekti i Njeriut të Egër), një program rehabilitimi në natyrë për burrat që po përjetojnë kriza, i cili zgjat nga nëntë deri në 12 javë.
Projekti u bashkëthemelua në vitin 2014 nga psikologu i natyrës Simon Høegmark, ndërsa zhvillimi i tij u ndikua pjesërisht nga përvojat personale të tij me shëndetin mendor.
Më shumë se një dekadë më parë, ai udhëtoi drejt Norvegjisë për të bërë ecje në natyrë dhe për të rifituar ekuilibrin e tij emocional.
“Pas disa ditësh me mendime të rënda, arrita në majën e një mali me pamje nga Lysefjord. Për një çast të shkurtër, më kaloi në mendje ideja për t’u hedhur”, kujtoi ai.
Por, po aq shpejt sa e pushtuan këto mendime, peizazhi i Lysefjordit u mbush me dritë dhe diçka ndryshoi brenda Simonit.
“Dielli doli përmes reve, duke ndriçuar të gjithë peizazhin. Përjetova një çast kur harrova veten, një ndjenjë lidhjeje me gjithçka dhe një dashuri për jetën”, tha Høegmark për Euronews Health.
Edhe pse kjo përvojë nuk e zgjidhi menjëherë krizën e tij psikologjike, ajo i dha mundësi të përqendrohej te bukuria e natyrës. Qetësia e saj i zbuti mendimet që i vërtiteshin në kokë dhe i zëvendësoi ato me një ndjenjë shprese.
















