Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar rrezik të lartë për zjarre në pyje në pjesën më të madhe të vendit gjatë pasdites së kësaj të hëne dhe përgjatë ditës së martë.
Sipas parashikimit, niveli i rrezikut do të jetë i lartë në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër rreziku parashikohet i moderuar, por në disa zona të veçanta situata mund të përkeqësohet.
Konkretisht, rrezik lokalisht i lartë pritet në jugperëndim të qarkut Shkodër dhe në jugperëndim të qarkut Dibër.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, situata pritet të jetë edhe më e rënduar gjatë ditës së martë, për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve në pjesën më të madhe të vendit.
Reshje të dobëta priten në qarqet Shkodër dhe Kukës, të shoqëruara me shtrëngata lokale.
Reshje të dobëta parashikohen edhe në Dibër dhe Lezhë, ndërsa në Tiranë, Elbasan, Korçë dhe Gjirokastër ato do të jenë vetëm lokalisht të dobëta.
Në pjesën tjetër të vendit nuk priten reshje.
Temperaturat do të mbeten shumë të larta. Të martën ato pritet të arrijnë deri në 37 gradë Celsius në bregdet, 40 gradë në zonat e ulëta dhe 33 gradë në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa në zonat malore, për periudha të shkurtra, pritet të jetë e fortë.
Kushtet e motit rrisin ndjeshëm mundësinë e përhapjes së shpejtë të flakëve, ndaj qytetarëve u kërkohet kujdes maksimal dhe shmangia e çdo veprimi që mund të shkaktojë zjarr në pyje, kullota apo zona të thata.















