Skemat “5D”, të denoncuara nga Bashkia e Tiranës deri te bashkitë më të vogla në vend, duket se nuk janë zhdukur plotësisht. Ato fshihen apo kamuflohen edhe në forma të tjera, shpesh në atë të klientelizmit dhe preferencave sipas bindjeve politike.
Një e tillë dyshohet se është ngritur në Bashkinë e Pogradecit, e cila prej dy mandatesh drejtohet nga Ilir Xhakolli. Ky i fundit, pas vitit 2020, ka firmosur dhjetëra tendera për shoqërinë “ADA-CO” sh.p.k., e cila është në pronësi të shtetasit Përparim Latifllari.
Ky i fundit rezulton, së paku nga profili i tij publik në rrjetet sociale, se është një mbështetës i flaktë i Partisë Socialiste dhe, sidomos, i Ilir Xhakollit.
Sipas të dhënave të OpenProcurement Albania, kompania “ADA-CO” sh.p.k. e Përparim Latifllarit ka përfituar plot 50 tendera publikë.
Prej tyre, 47 i ka marrë nga Bashkia e Pogradecit dhe 3 të tjerë nga Spitali i Pogradecit. Ajo që bie në sy është fakti se të gjithë tenderat janë përfituar nga kjo shoqëri pas vitit 2019.
Në total, nga viti 2019 deri më sot, kompania e Përparim Latifllarit ka përfituar 1.9 milionë euro pagesa nga Thesari i Shtetit për tenderat që ka marrë në Bashkinë e Pogradecit.
Një tjetër element që ngre dyshime të forta se tenderat që Ilir Xhakolli i jep Përparim Latifllarit janë klientelistë dhe të paracaktuar është fakti se shumë prej procedurave të prokurimit janë përfituar me vlerën e fondit limit, ose të gjithë operatorët e tjerë në garë janë skualifikuar.
Shumë prej tenderave janë vlerësuar me Flamur të Kuq nga OpenProcurement Albania, duke krijuar hije të forta dyshimi për konsumimin e veprave penale të shkeljes së barazisë në tendera.


Përparim Latifllari, socialisti i flaktë pas Ilir Xhakollit
Siç e përmendëm edhe më sipër, Përparim Latifllari duket se nuk i përfiton rastësisht tenderat në Bashkinë e Pogradecit. Nga të dhënat publike rezulton se ai është një ndjekës i rregullt i aktivitetit të Ilir Xhakollit, kryetarit të Bashkisë së Pogradecit. Madje, në rrjetet sociale nuk e fsheh mbështetjen publike ndaj Xhakollit, duke i komentuar shpesh gjatë garave elektorale.
Në një nga komentet, Përparim Latifllari e uron Ilir Xhakollin për fitoren si kryebashkiak i Pogradecit, ndërsa ndjek dhe pëlqen rregullisht postimet e kryebashkiakut në rrjetet sociale. Këto të dhëna jo domosdoshmërisht përbëjnë akuzë, por janë indicie për të kuptuar marrëdhënien klienteliste mes Ilir Xhakollit dhe Përparim Latifllarit, e cila duket se fsheh edhe një angazhim politik, ku në këmbim jepen tendera publikë.
Kliknews.al do të vijojë hulumtimin për të kuptuar edhe më shumë sesa e thellë është kjo marrëdhënie mes kryebashkiakut të Pogradecit, Ilir Xhakolli, dhe simpatizantit të tij biznesmen, Përparim Latifllari, i cili nga dora e Xhakollit ka marrë plot 47 tendera nga Bashkia e Pogradecit. /Kliknews.al















