Nuk u desh depërtimi në sistemet elektronike të bankës. Një mesazh në WhatsApp, një telefonatë me zë të klonuar dhe disa komunikime të falsifikuara mjaftuan që nga Fideuram, dega e bankimit privat të Intesa Sanpaolo-s, të transferoheshin rreth 95 milionë euro.
Mashtrimi nisi në shkurt 2026, kur Paolo Molesini, në atë kohë kryetar i Fideuram-it, mori një mesazh që dukej sikur ishte dërguar nga Carlo Messina, drejtuesi ekzekutiv i Intesa Sanpaolo-s.
Në mesazh kërkohej ndihmë urgjente për realizimin e një operacioni financiar jashtë vendit. Mashtruesit pretendonin se, për arsye praktike, Intesa nuk mund ta kryente vetë transaksionin dhe paratë duhej të kalonin përmes thesarit të Fideuram-it.
Pak më vonë, Molesini u kontaktua nga një person që u prezantua si partner i lartë i një studioje të njohur ligjore. Sipas burimeve të hetimit, zëri i avokatit ishte rikrijuar me inteligjencë artificiale, duke e bërë telefonatën bindëse. Në skemë dyshohet se janë përdorur edhe komunikime elektronike të falsifikuara.
Mashtruesit kishin ndërtuar edhe një nivel tjetër konfirmimi. Përgjegjësi i thesarit dhe pagesave në Fideuram ishte kontaktuar nga një person që hiqej si drejtues i bankës dhe ishte paralajmëruar se Molesini do ta telefononte për disa transferta “urgjente dhe konfidenciale”.
Kështu, kur urdhri mbërriti, ai dukej sikur ishte konfirmuar nga disa burime të ndryshme brenda dhe jashtë bankës.
Molesini udhëzoi departamentin financiar të kryente një seri transfertash. Paratë, në një shumë totale prej rreth 95 milionë eurosh, u dërguan kryesisht në llogari në Kinë dhe Hong Kong, ndërsa pjesë të skemës kaluan edhe përmes Portugalisë.
Parregullsitë u zbuluan pasi transfertat ishin ekzekutuar. Fideuram njoftoi bankat dhe autoritetet në disa vende, duke nisur një operacion ndërkombëtar për bllokimin dhe kthimin e fondeve.
Rreth 53 milionë euro u rikuperuan falë bashkëpunimit mes autoriteteve italiane, kineze dhe portugeze. Reuters raporton se rreth 36 milionë euro mbeten të pagjurmueshme, ndërsa të dhënat e cituara nga ANSA, bazuar në aktet e hetimit, e vendosin shumën e munguar në rreth 39.5 milionë euro. Diferenca lidhet me karakterin paraprak dhe të përafërt të shifrave të raportuara.
Një pjesë e parave dyshohet se është shpërndarë nëpër disa llogari jashtë vendit dhe më pas është konvertuar në kriptovaluta, duke e vështirësuar gjurmimin dhe rikuperimin e tyre.
Molesini dha dorëheqjen më 12 mars, duke deklaruar arsye personale. As ai dhe as drejtues të tjerë të Fideuram-it nuk janë nën hetim për mashtrimin.
Prokuroria e Milanos po heton një shtetas të huaj që jeton jashtë Europës, nën dyshimin për mashtrim kompjuterik. Intesa Sanpaolo dhe Fideuram nuk kanë pranuar të komentojnë publikisht për çështjen.
Rasti tregon se pika më e dobët e sigurisë bankare nuk ishte domosdoshmërisht infrastruktura teknologjike, por procedura e autorizimit. Mashtruesit përdorën urgjencën, konfidencialitetin dhe inteligjencën artificiale për të krijuar një zinxhir të rremë konfirmimesh, përmes të cilit arritën të nxirrnin jashtë bankës pothuajse 100 milionë euro. /skyweb.al















