Shtetet e Bashkuara do të nxjerrin deri në 40 milionë fuçi naftë nga Rezerva Strategjike, në përpjekje për të ulur presionin mbi çmimet e karburanteve.
Vendimi përbën kontributin e radhës të SHBA-së në planin e koordinuar ndërkombëtar për hedhjen në treg të 172 milionë fuçive naftë, të nisur pas shpërthimit të luftës me Iranin.
Çmimet e naftës bruto, benzinës, naftës dhe karburantit të avionëve janë rritur ndjeshëm që prej fillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt.
Në tregun amerikan, benzina vijon të kushtojë mbi 4 dollarë për gallon, ndërsa çmimi i naftës ka kaluar nivelin historik prej 6 dollarësh për gallon.
Rritja e kostove të energjisë po ushtron presion mbi administratën e presidentit Donald Trump, më pak se dy muaj përpara zgjedhjeve të ndërmjetme të nëntorit.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, u kërkoi gjithashtu vendeve europiane të përshpejtojnë nxjerrjen e rezervave që kishin premtuar në kuadër të nismës së Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë.
Sipas tij, disa shtete europiane kanë hedhur në treg vetëm një pjesë të naftës bruto dhe produkteve të naftës për të cilat ishin angazhuar.
“U bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të përmbushin angazhimet e tyre”, deklaroi Wright, duke theksuar se SHBA-ja dhe Japonia kanë vepruar më shpejt.
Ndërhyrja e re pritet ta ulë Rezervën Strategjike të Naftës të SHBA-së në nivelin më të ulët që prej vitit 1982.
Legjislacioni amerikan ndalon nxjerrjet joemergjente kur rezervat zbresin nën 252.4 milionë fuçi, ndërsa niveli minimal teknik për funksionimin e infrastrukturës së pompimit dhe shpërndarjes vlerësohet në rreth 70 milionë fuçi.
Departamenti i Energjisë sinjalizoi se, pas kësaj ndërhyrjeje, një tjetër nxjerrje e ngjashme nuk pritet të kryhet në të ardhmen e afërt.
Nafta nuk do t’u shitet përfundimisht kompanive, por do t’u jepet në formën e një shkëmbimi, të ngjashëm me një hua.
Kompanitë do të jenë të detyruara ta kthejnë më vonë naftën e marrë, së bashku me një sasi shtesë të konsideruar si interes, duke mundësuar rimbushjen graduale të rezervave gjatë vitit të ardhshëm. /skyweb.al















