Duke filluar nga 5 tetori 2026, në Durrës do të nisë zbatimi i sistemit të parkimit me pagesë në rrugët dhe sheshet publike të përcaktuara nga bashkia.
Rrugët ku do të aplikohet sistemi ndahen në dy kategori. Në Zonën A, tarifa do të jetë 100 lekë për orë, ndërsa në Zonën B parkimi do të kushtojë 40 lekë për orë.
Gjatë sezonit veror, nga 1 qershori deri më 30 shtator, pagesa do të zbatohet çdo ditë të javës, nga ora 08:00 deri në 20:00. Pas orës 20:00 parkimi do të jetë falas.
Nga 1 tetori deri më 31 maj, parkimi me pagesë do të funksionojë nga e hëna në të premte, në orarin 08:00–16:00. Pas orës 16:00 dhe gjatë fundjavës, parkimi do të jetë pa pagesë.
Sistemi do të zbatohet edhe në sheshin “Jorgji Ziu”, sheshin “Vollga” dhe në parkimin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”.
Në këto tri hapësira, tarifat nisin nga 100 lekë për qëndrimin deri në dy orë dhe arrijnë në 500 lekë për parkimin nga 12 deri në 24 orë. Pagesa do të kryhet vetëm me kartë bankare nëpërmjet terminaleve POS.
Për qytetarët që banojnë në zonat ku ndodhen rrugët me pagesë është parashikuar një abonim vjetor rezidenti me tarifë 10 mijë lekë. Abonimi do të vlejë për një automjet për çdo familje dhe vetëm për zonën përkatëse të banimit.
Rezidentët e hapësirave publike të miratuara midis pallateve mund të pajisen edhe me vërtetim rezidenti pa pagesë, i cili u mundëson parkimin në hapësirën përkatëse pranë banesës.
Sipas bashkisë, një qytetar mund të përfitojë njëkohësisht abonimin vjetor për rrugët me pagesë dhe vërtetimin falas për hapësirën e miratuar midis pallateve. Dokumentet duhet të vendosen në një vend të dukshëm në xhamin e automjetit.
Aplikimi dhe verifikimi i adresës kryhen pranë njësisë administrative përkatëse. Qytetarët duhet të paraqesin dokumentin e identifikimit, dokumentin e pronësisë së automjetit, dokumentin që provon pronësinë ose përdorimin e banesës, si dhe vërtetimin e banimit.
Bashkia Durrës deklaron se sistemi synon organizimin më të mirë të parkimit, reduktimin e parkimeve të parregullta dhe administrimin më efikas të hapësirave publike.















