Media amerikane “Quartz” e ka përfshirë Shqipërinë në listën e dhjetë destinacioneve më të mira për t’u vizituar gjatë vitit 2026.
Në vlerësimin e saj, media veçon Rivierën Shqiptare për bukuritë natyrore, çmimet më të përballueshme dhe faktin se ende nuk është përfshirë në të njëjtin nivel të turizmit masiv si destinacionet e tjera të Mesdheut.
Shqipëria renditet krahas destinacioneve që ofrojnë përvoja të veçanta turistike, por që pritet të përballen me rritje të numrit të vizitorëve dhe të çmimeve në vitet e ardhshme.
Sipas “Quartz”, këto vende duhen vizituar përpara se flukset turistike të shtohen, çmimet të shtrenjtohen dhe atraksionet të mbushen me turma e radhë të gjata.
Riviera Shqiptare paraqitet si një alternativë më ekonomike ndaj destinacioneve të njohura të Italisë, Kroacisë dhe Greqisë.
“Bregdeti i Shqipërisë ofron pamje të Adriatikut me çmime shumë më të ulëta se Amalfi”, shkruan media amerikane.
Riviera shtrihet përgjatë bregdetit nga Vlora drejt jugut, deri në Sarandë, duke përfshirë disa prej plazheve dhe destinacioneve më të njohura të vendit.
Zona veçohet për ujërat e kaltra, plazhet dhe malet që zbresin pranë detit Adriatik dhe Jon, duke krijuar një peizazh tërheqës për turistët.
Mes destinacioneve të përmendura janë Dhërmiu, Himara dhe Ksamili, zona bregdetare që ndodhen përballë ishullit grek të Korfuzit.
Një nga avantazhet kryesore të Shqipërisë mbetet niveli i çmimeve, i cili, sipas artikullit, vazhdon të jetë më i ulët krahasuar me destinacionet turistike të vendeve fqinje.
Afërsia me Greqinë ka nxitur edhe udhëtimet ditore të turistëve grekë drejt Shqipërisë, ku ata gjejnë ushqime më të lira dhe plazhe më pak të frekuentuara.
Përfshirja në listën e “Quartz” vjen në një periudhë kur Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave dhe operatorëve ndërkombëtarë të turizmit.
Megjithatë, mesazhi i artikullit është i qartë: avantazhi i Shqipërisë qëndron ende te kombinimi i natyrës, çmimeve të ulëta dhe mungesës së turizmit masiv, një ekuilibër që mund të ndryshojë me shtimin e vizitorëve. /skyweb.al
















