Disa shkencëtarë mendojnë se temperatura mund të jetë po aq e rëndësishme sa drita për të rregulluar orët biologjike të trupit.
Edhe sot, antropologu Gandhi Yetish kujton ritualin e tij para gjumit gjatë dimrave të ftohtë në Nju Xhersi, kur ishte fëmijë. Ai hapte dritaren, duke lejuar që ajri i akullt të hynte brenda dhe t’i freskonte fytyrën. Shumë shpejt e ndiente se po i vinte gjumi, megjithëse shqetësohej se çfarë do të thoshte e ëma për faturën e ngrohjes, shkruan BBC.
Duket se ka prova të reja që tregojnë se Yetish kishte të drejtë. Nga thellësia e gjumit deri te ndjesia e freskisë që kemi kur zgjohemi, temperatura mund të ndikojë ndjeshëm në pushimin tonë gjatë natës. Madje, disa shkencëtarë po shkojnë edhe më tej, duke argumentuar se temperatura mund të jetë po aq e rëndësishme sa drita për të përcaktuar se kur flemë.
Ja çfarë dimë dhe çfarë mbetet ende e paqartë.
Ngrohtësia e Diellit
Për vite me radhë, Yetish mendonte se preferenca e tij për dhoma të freskëta gjatë gjumit ishte thjesht një veçori personale. Por, ndërsa studionte gjumin e njerëzve në shoqëri jo të industrializuara, ai kaloi një periudhë kohe me popullsinë indigjene Tsimane, në Amazonën e Bolivisë.
Yetish ishte i vetëdijshëm për konsensusin shkencor të krijuar prej kohësh, sipas të cilit sinjali më i rëndësishëm mjedisor për gjumin ishte ekspozimi ndaj dritës. Megjithatë, ai vuri re se pjesëtarët e komunitetit Tsimane zakonisht shkonin për të fjetur disa orë pas perëndimit të Diellit dhe zgjoheshin para lindjes së tij, ndonëse nuk kishin energji elektrike për ndriçim artificial dhe pjesën më të madhe të ditës e kalonin jashtë.
Më pas, Yetish dhe një grup kolegësh nga universitete të ndryshme në Shtetet e Bashkuara studiuan gjumin e dy grupeve të tjera indigjene. Bëhej fjalë për popullsinë Hadza në Tanzaninë veriore dhe popullsinë San në Afrikën Jugore.
Studiuesit zbuluan se edhe oraret e gjumit të këtyre komuniteteve nuk përputheshin plotësisht me ciklet e dritës dhe errësirës. Përkundrazi, dukej se ato ndiqnin luhatjet e temperaturës së ambientit.
“Ne supozojmë se perëndimi dhe lindja e Diellit janë të rëndësishme për shkak të dritës”, thotë Yetish. “Por, në fund të fundit, edhe temperatura vjen nga Dielli.”
Ftohja e trupit para gjumit
Dekada të tëra studimesh kanë treguar se temperatura e brendshme e trupit tonë fillon të bjerë kur përgatitemi për të fjetur. Për shumicën prej nesh, ajo vazhdon të ulet gjatë një pjese të madhe të natës, duke rënë zakonisht me rreth 1°C nga niveli më i lartë gjatë ditës në nivelin më të ulët gjatë natës.
Kjo ndihmon të shpjegohet pse njerëzit shpesh flenë më pak dhe kanë gjumë më të ndërprerë kur temperatura e dhomës nuk është mjaftueshëm e ulët, thotë Sebastian Herberger, mjek dhe studiues i gjumit në Qendrën Ndërdisiplinore të Mjekësisë së Gjumit në Berlin.
“Çdokush që ka fjetur ndonjëherë në një dhomë hoteli tepër të nxehtë mund t’i ketë përjetuar këto efekte”, thotë ai.
Në një studim të vitit 2007, studiuesit ndryshuan temperaturën e dhomës ku flinin pjesëmarrësit, për të shqyrtuar ndikimin e saj në gjumë.
Pjesëmarrësit iu nënshtruan dy kushteve të ndryshme të gjumit. Në eksperimentin e parë, temperatura e dhomës u ul gradualisht nga 27°C (81°F) në 24°C (75°F), nga ora 18:00 deri në orën 22:00. Më pas, ajo u rrit ngadalë deri në 27°C, ndërmjet orës 03:00 dhe 07:00, dhe qëndroi në këtë nivel gjatë ditës.
Ky konfigurim synonte të imitonte ndryshimet natyrore të temperaturës së ambientit gjatë natës. Në eksperimentin tjetër, pjesëmarrësit fjetën në një dhomë ku temperatura qëndronte vazhdimisht në 27°C.
Kur flinin në një ambient me temperaturë të luhatshme, pjesëmarrësit shfaqnin nivele më të larta gjatë natës të një treguesi biologjik të melatoninës, krahasuar me ata që flinin në një temperaturë të pandryshueshme prej 27°C.
Melatonina është një hormon që trupi e prodhon natyrshëm. Niveli i saj rritet me afrimin e orarit të gjumit dhe zakonisht arrin kulmin në mes të natës. Ajo i sinjalizon trupit të ngadalësojë aktivitetin dhe të përgatitet për gjumë.
Pjesëmarrësit e të njëjtit grup thanë gjithashtu se ndiheshin më të çlodhur kur zgjoheshin. Studiuesit hodhën hipotezën se gjatë evolucionit, organizmi ynë është përshtatur për të bërë gjumë më të thellë nën ndikimin e ndryshimeve natyrore të temperaturës në muzg dhe në agim.
Rregullimi i orës së brendshme të trupit
Një nga pyetjet që ngre lidhja e mundshme midis temperaturës dhe gjumit është nëse temperatura mund të ndihmojë në rregullimin e orës së brendshme të trupit dhe, nëse po, deri në çfarë mase.
Këto orë biologjike koordinojnë ritmet cirkadiane, pra ciklet e ndryshimeve mendore, fizike dhe të sjelljes që ndodhin brenda një periudhe 24-orëshe. Këtu përfshihet gjithçka, nga koha kur flemë deri te koha kur hamë.
Tradicionalisht, mendohet se ritmet cirkadiane përcaktohen kryesisht nga ekspozimi ynë ndaj dritës.
















