Pozicioni i krahut gjatë matjes së tensionit arterial mund të ndikojë drejtpërdrejt në rezultatet e marra, duke bërë që vlerat të rezultojnë më të larta se ato reale. Kjo mund të çojë në vlerësime të gjendjes shëndetësore dhe në klasifikimin e personave si hipertensivë, edhe kur matja nuk pasqyron saktë presionin e gjakut.
Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore JAMA Internal Medicine, mbështetja e krahut në pozicionin e duhur është një element thelbësor për matjen e saktë të tensionit. Studimi, i koordinuar nga studiuesja Tammy Brady e Shkollës së Mjekësisë në Universitetin Johns Hopkins, krahasoi rezultatet e marra në tri pozicione të ndryshme: me krahun të mbështetur mbi tavolinë, të vendosur mbi prehër dhe të lënë të varur anash trupit.
Gjetjet treguan se pozicioni i gabuar mund të shkaktojë diferenca të konsiderueshme në rezultatet e matjes. Kur krahu mbahej mbi prehër, presioni sistolik rezultonte mesatarisht rreth 4 mmHg më i lartë sesa në pozicionin e rekomanduar. Ndërsa kur krahu lihej i varur anash trupit, diferenca arrinte në afro 7 mmHg.
Këto ndryshime mund të kenë rëndësi në vlerësimin e tensionit, veçanërisht për personat, vlerat e të cilëve janë pranë kufirit të hipertensionit. Një matje e ndikuar nga pozicioni i krahut mund të japë një rezultat dukshëm më të lartë dhe të ndikojë në interpretimin e rrezikut për shëndetin.
Studimi përfshiu më shumë se 130 persona të moshës 18 deri në 80 vjeç. Përpara matjeve, pjesëmarrësit qëndruan ulur për pesë minuta, me shpinën dhe këmbët të mbështetura. Më pas, studiuesit kryen disa seri matjesh me pajisje dixhitale, duke krahasuar rezultatet sipas pozicionit të krahut.
Sipas përfundimeve, mbështetja e krahut mbi tavolinë siguron matje më të sakta sesa mbajtja e tij mbi prehër apo lënia e varur anash trupit. Studiuesit theksojnë gjithashtu se gjetjet lidhen kryesisht me matjet e kryera me pajisje automatike.
Si duhet të matet tensioni në mënyrë korrekte?
Për të shmangur rezultatet e pasakta, rekomandohet që matja të kryhet në një ambient të qetë, pasi personi të ketë pushuar për disa minuta. Gjatë matjes, shpina duhet të jetë e mbështetur, këmbët të vendosura në dysheme pa u kryqëzuar dhe krahu i mbështetur mbi një tavolinë, në mënyrë që mansheta të jetë në nivelin e zemrës.
Gjithashtu, duhet të përdoret një manshetë me madhësinë e duhur, e vendosur sipas udhëzimeve të pajisjes, dhe të shmangen të folurit apo lëvizjet gjatë matjes.
Rëndësia e këtyre udhëzimeve lidhet edhe me faktin se hipertensioni shpesh nuk shoqërohet me simptoma të dukshme. Për këtë arsye, matjet e sakta janë thelbësore për zbulimin e hershëm të tij dhe për parandalimin e komplikacioneve kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru.
Ekspertët këshillojnë që rezultatet e përsëritura jashtë vlerave normale të diskutohen me mjekun, në mënyrë që gjendja shëndetësore të vlerësohet saktë dhe të përcaktohen hapat e mëtejshëm.















