Ryanair po riorganizon rrjetin e fluturimeve, duke ndërprerë linja dhe duke u larguar nga disa aeroporte europiane. Kompania irlandeze ia atribuon këto vendime taksave të aviacionit dhe tarifave aeroportuale, ndërsa avionët po i zhvendos drejt tregjeve me kosto më konkurruese.
Në Spanjë, shkurtimet kanë prekur aeroportet rajonale, përfshirë Vigon dhe Asturiasin. Për sezonin veror 2026, Ryanair njoftoi heqjen e rreth 1.2 milionë vendeve nga oferta në aeroportet rajonale spanjolle, duke kundërshtuar rritjen e tarifave të operatorit Aena.
Në Portugali, kompania ndërpreu të gjitha fluturimet drejt dhe nga ishujt Azore më 29 mars 2026. Vendimi preku aeroportet Ponta Delgada dhe Terceira, me heqjen e gjashtë linjave që, sipas Ryanair, përfaqësonin rreth 400 mijë pasagjerë në vit.
Edhe Franca është prekur nga tërheqja. Operimet në Clermont-Ferrand u ndërprenë nga 27 marsi, ndërsa në Rodez u hoq linja me Dublinin. Lidhjet verore të këtij aeroporti me Londrën dhe Brukselin mbetën në program.
Shqipëria nuk preket nga këto shkurtime. Ryanair po zgjerohet fuqishëm në tregun shqiptar dhe e ka kthyer Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në një nga bazat e saj, me katër avionë të stacionuar që nga fundi i marsit 2026. Për sezonin veror, kompania njoftoi 44 linja, prej të cilave 21 të reja, dhe parashikoi rritje të trafikut mbi 50%, drejt 4 milionë pasagjerëve në vit.
Zgjerimin në Tiranë kompania e lidh me kostot konkurruese dhe skemat nxitëse të aeroportit. Planet deri në vitin 2030 parashikojnë mbi 60 linja dhe më shumë se 6 milionë pasagjerë në vit, nëse ruhen kushtet që mbështesin këtë rritje.
Në Gjermani, ndërkohë, Ryanair ka njoftuar se do të ndërpresë të gjitha fluturimet drejt dhe nga Bremeni duke nisur nga prilli 2027. Sipas kompanisë, vendimi do t’i heqë aeroportit rreth 500 mijë vende në vit. Kapacitetet do të transferohen drejt aeroporteve dhe rajoneve që ofrojnë kosto më të ulëta.
Krahas shkurtimeve në këto destinacione, Ryanair ka njoftuar një program rekord për dimrin 2026, me rreth 1,700 linja në 35 vende, përfshirë mbi 140 linja të reja. /skyweb.al
















