Rivlerësimi i pronave vazhdon, por ritmi dhe, mbi të gjitha, entuziazmi nuk janë më në nivelin e muajve të parë. Madje, të dhënat nga tregu tregojnë se efekti në çmimet e apartamenteve dhe në shitje mbetet larg pritshmërive fillestare.
Pritej që rivlerësimi të rriste ofertën duke futur në treg një numër të madh apartamentesh dhe pronash që deri vitin e kaluar qëndronin jashtë tij sepse pronarët nuk ishin të gatshëm të paguanin tatimin 15% të diferencës mes çmimit të tregut aktualisht dhe atij fillestar.
Rritja e fortë e çmimeve gjatë viteve të fundit në pasuritë e paluajtshme i ngarkoi edhe më tepër pronat që nuk ishin rivlerësuar sëfundmi. Rrjedhimisht, pritej që procesi i rivlerësimit t’i jepte një hov tregut, gjë që duket se nuk ndodhi.
gjashtëmujorin e parë të këtij viti, banesat janë 10% më të shtrenjta se një vit më parë në rang vendi dhe 9% në Tiranë. Rritja është ngadalësuar, tregu thuhet se po stabilizohet, por apartamentet vazhdojnë të kushtojnë më shumë. Pra, efekti i parë i drejtërdrejtë i rivlerësimit, që do të ishte ulja e çmimeve nuk ndodhi.
Ndërkohë, rezulton se është zgjatur koha mesatare e shitjes së një apartamenti në Shqipëri.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një banesë në Tiranë shitet mesatarisht për 9.7 muaj, nga 8.1 muaj më parë. Në rang vendi, koha zgjatet nga 9.1 në 9.9 muaj.
Ngadalësimi duket edhe te shifrat e Tatimeve. Kursimi sipas tatimeve për qytetarët dhe bizneset arrin në 156 milionë euro gjatë mars–shtatorit. Por 104.3 milionë euro krijohen gjatë katër muajve mars–qershor, ndërsa korriku, gushti dhe shtatori shtojnë së bashku 51.7 milionë euro.
Mesatarja mujore zbriti nga 26.1 në 17.2 milionë euro, një ngadalësim rreth 34%. Kjo rënie e ritmit të aplikimeve, bashkë me zgjatjen e kohës së shitjes dhe çmimet ende të larta, e bën më pak bindëse pritshmërinë për një ndryshim të madh të tregut nga rivlerësimi.
Afati i fundit për aplikim është 31 dhjetori 2026. Me këtë ecuri, gjasat janë që rivlerësimi të mos sjellë deri në fundvit efektin e pritur. /skyweb.al
















