Dogana e Durrësit ka gjobitur me 5.1 milionë euro kompaninë “Salillari” për shmangie të taksave të naftës. Vendimi Nr. 626 i autoriteteve doganore ka konstatuar lindjen e një borxhi doganor për shkak të mosrespektimit të procedurave për një sasi prej mbi 1.32 milionë kilogramë karburant, e cila ishte deklaruar nën regjimin e përjashtimit taksues të NATO-s.
Sipas dokumentacionit zyrtar të siguruar nga hetimi doganor në Sektorin e Porto Romanos, kompania “Salillari” kishte përfituar një autorizim përjashtimi (Nr. 14695) për importin e materialeve që do të shërbenin ekskluzivisht për projektin e ndërtimit të Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ky status ligjor lejonte që mallrat e përcaktuara për bazën të mos ngarkoheshin me TVSH, akcizë apo taksa doganore.
Megjithatë, gjatë kontrolleve të kryera në terren dhe verifikimit të sistemit kompjuterik Asycuda, audituesit doganorë zbuluan se për një sasi prej 1,3 milionë kg naftë “diesel” 10ppm, kompania nuk kishte paraqitur asnjë kërkesë specifike përjashtimi të miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA).
Për shkak të mungesës së këtij dokumenti specifik autorizues në momentin e zhdoganimit, autoritetet e kanë konsideruar këtë sasi ligjërisht si “mall në qarkullim të lirë” të pasaktësuar nën regjimin e përjashtimit.

Detyrimi fillestar i papaguar i llogaritur nga dogana kapte shifrën e 156 milionë lekëve, i cili përfshinte 60.4 milionë lekë akcizë, 48 milionë lekë TVSH, 42.7 milionë lekë taksë qarkullimi dhe 4.7 milionë lekë taksë karboni.
Pasi rasti u klasifikua si kundërvajtje administrative doganore e kryer në neglizhencë (Neni 252, për mosrespektim afatesh dhe procedurash), ndaj subjektit u aplikua sanksioni ligjor prej 2-fishit të detyrimit të munguar, që shkon në 312 milionë lekë lekë. Bashkë me detyrimin fillestar, fatura totale që kompania është ngarkuar të paguajë është 468 milionë lekë ose 5.15 milionë euro.

Përfaqësuesit e subjektit kanë refuzuar të nënshkruajnë procesverbalin, duke pretenduar në ankimimet e tyre administrative se procedurat doganore janë të pavlefshme pasi malli mbulohej nga marrëveshja kuadër që Shqipëria ka me NATO-n. Por ky pretendim është hedhur poshtë nga Dogana. /kapitali.al















