Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, zhvilloi një vizitë në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), ku u njoh nga afër me zhvillimin e aktivitetit për zgjerimin e bazës operacionale të Wizz Air në Shqipëri, e cila do të shtojë avionin e saj të 15-të.
Gjatë vizitës, Ministri Karakaçi vlerësoi rritjen e ndjeshme të trafikut ajror në vend dhe ndikimin e politikave mbështetëse në zhvillimin e sektorit të aviacionit, duke theksuar se ulja e tarifës për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro ka kontribuar në forcimin e konkurrueshmërisë së Shqipërisë si destinacion dhe nyje e rëndësishme e transportit ajror në rajon.
“Ne kemi ulur tarifën për pasagjerët nga 10 euro në 1 euro, që sot është ndër më të ulëtat në rajon dhe Evropë. Trafiku ajror i vitit 2026 parashikohet të jetë rreth 18.3% më i lartë se viti 2025. Krahasuar me vitin 2019, ne jemi mbi trefish të trafikut ajror”, u shpreh Ministri Karakaçi.
Zgjerimi i pranisë së Wizz Air në Tiranë është një tregues i rëndësishëm i rritjes së tregut shqiptar të aviacionit dhe besimit në potencialin e tij afatgjatë.
“Vendosja e avionit tonë të 15-të në Tiranë është dëshmi e besimit tonë në potencialin afatgjatë të Shqipërisë. Me 7 milionë pasagjerë këtë vit dhe 9 milionë vende të ofruara për vitin 2027, do të vijojmë të zgjerojmë rrjetin dhe lidhjet e Shqipërisë me Evropën”, deklaroi Samuel Ferrera Falcon, Drejtor i Rrjetit për Rajonin Perëndimor në Wizz Air.
Zgjerimi i aktivitetit të kompanisë është mbështetur nga investimet e Kastrati Group në infrastrukturën aeroportuale, të cilat kanë mundësuar rritjen e kapaciteteve operacionale përmes ndërtimit të vendparkimeve të reja për avionët, rrugëve lidhëse dhe zgjerimit të terminalit.
“Partneriteti me Wizz Air ka qenë një ndër faktorët kryesorë të rritjes së aeroportit. Investimet e vazhdueshme të Kastrati Group kanë zgjeruar kapacitetet operacionale dhe përmirësuar efikasitetin. Me avionin e 15-të, Tirana do të pozicionohet si baza e gjashtë më e madhe e Wizz Air në rrjetin e saj”, tha Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Vizita e Ministrit Karakaçi dhe zgjerimi i mëtejshëm i bazës së Wizz Air dëshmojnë për ecurinë pozitive të sektorit të aviacionit në Shqipëri dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, operatorëve ajrorë dhe investitorëve në zhvillimin e infrastrukturës aeroportuale.
Me këto shifra dhe investime të vazhdueshme, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës synon të konsolidojë më tej pozicionin e tij si një nga qendrat kryesore të transportit ajror në rajon.


















