Pas 18 vitesh nga marrja e licencës për ndërtimin e një parku të madh të prodhimit të energjisë nga era në jug të Shqipërisë, kompania “E-Vento S.R.L Albania” ka kërkuar ndryshimin e projektit fillestar, duke reduktuar numrin e turbinave nga 36 në vetëm 9, por pa ndryshuar kapacitetin total të prodhimit prej 72 MW.
Ndryshimet parashikojnë përqendrimin e të gjithë investimit në zonën e Markatit, në Bashkinë Konispol, duke hequr nga projekti fillestar vendndodhjet e tjera të parashikuara në Livadhja dhe Lukovë.
Projekti fillestar, i licencuar më 17 korrik 2008, parashikonte ndërtimin e dy parqeve eolike me kapacitet të përgjithshëm 72 MW.
Parku i parë do të ndërtohej në zonat Markat dhe Livadhja, me 23 turbina me fuqi nga 2 MW secila, që së bashku do të prodhonin deri në 46 MW energji elektrike.
Parku i dytë ishte parashikuar në Lukovë, me 13 turbina të tjera nga 2 MW, me kapacitet total 26 MW.
Në këtë mënyrë, investimi do të shtrihej në tri zona të ndryshme të jugut të vendit, me gjithsej 36 turbina për prodhimin e energjisë nga era.
Por sipas projektit të rishikuar, të depozituar në ERE më 7 tetor 2026, kompania kërkon që i gjithë kapaciteti prej 72 MW të vendoset në një park të vetëm eolik në Markat të Konispolit.
Ndryshimi më i madh lidhet me teknologjinë e përdorur, pasi në vend të 36 turbinave me fuqi nga 2 MW, parashikohen 9 turbina me kapacitet individual prej 8 MW.
Kjo do të thotë se numri i turbinave reduktohet me 75%, ndërsa fuqia totale e instaluar mbetet e njëjtë.
Përveç ndryshimit të vendndodhjes dhe numrit të turbinave, kompania ka kërkuar edhe rishikimin e afateve të ndërtimit dhe të vënies në punë të centralit.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, ERE ka konstatuar se për miratimin përfundimtar të ndryshimeve nevojiten dokumente dhe sqarime shtesë.
Një prej tyre është leja mjedisore për projektin e ri, e cila nuk rezulton ende e depozituar në dosjen e shqyrtuar.
Kompania ka njoftuar se ka aplikuar për këtë leje, por sipas ERE-s, nga formulari i paraqitur nuk mund të identifikohet data e aplikimit.
Një tjetër çështje lidhet me mënyrën se si parku eolik do të lidhet me rrjetin kombëtar të transmetimit të energjisë elektrike.
Operatori i Sistemit të Transmetimit, përmes një shkrese të datës 25 gusht 2026, ka vlerësuar mundësinë e lidhjes së parkut prej 72 MW me rrjetin e transmetimit 110 kV dhe ka dhënë miratimin në parim.
Megjithatë, përpara se kompania të mund të ushtrojë aktivitetin e licencuar, duhet të depozitojë në ERE edhe marrëveshjen përfundimtare të lidhjes me OST-në.
ERE ka kërkuar gjithashtu plotësimin e dokumentacionit për fazat e ndërtimit, grafikun e punimeve dhe datën e parashikuar të fillimit të prodhimit.
Me vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 240, është miratuar nisja e procedurës administrative për modifikimin e anekseve A, B dhe C të licencës së kompanisë.
Kjo procedurë përfshin ndryshimin e karakteristikave teknike të parkut, vendndodhjes dhe afateve të realizimit të investimit.
Për zhvillimet janë njoftuar edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit.
Projekti është një nga investimet e licencuara prej shumë vitesh për shfrytëzimin e potencialit të erës në jug të Shqipërisë, por që tani po kërkon një riorganizim të plotë teknologjik dhe territorial.
Ndryshimi i projektit pas 18 vitesh ngre gjithashtu pyetjen se kur do të mund të realizohet investimi dhe të nisë prodhimi i energjisë elektrike nga ky park.
Për momentin, ERE ka nisur vetëm procedurën e shqyrtimit të ndryshimeve, ndërsa miratimi përfundimtar do të varet nga plotësimi i dokumentacionit teknik, mjedisor dhe i lidhjes me rrjetin. /skyweb.al
















