Kriza e çmimeve të vajit të ullirit po përfshin vendet kryesore prodhuese të Mesdheut, ndërsa rritja e prodhimit dhe rezervat e mëdha kanë shkaktuar një rënie të fortë të çmimeve, duke vënë në vështirësi mijëra fermerë.
Situata ka detyruar Spanjën, prodhuesen më të madhe të vajit të ullirit në botë, të ndërhyjë drejtpërdrejt në treg duke urdhëruar bllokimin e përkohshëm të shitjes së rreth 188 mijë tonëve vaj ulliri, për të frenuar rënien e mëtejshme të çmimeve.
Vendimi parashikon që fabrikat spanjolle të mbajnë në magazina 12% të prodhimit, duke e nxjerrë përkohësisht jashtë tregut deri më 30 shtator 2027.
Masa vjen në një kohë kur prodhimi i Spanjës për sezonin 2026–2027 pritet të arrijë në 1,6 milionë tonë, ose 23% më shumë se sezonin e kaluar, ndërsa rezervat ekzistuese arrijnë në 357 mijë tonë.
Kjo rritje e ofertës ka ushtruar presion mbi çmimet, të cilat në fillim të nëntorit kanë zbritur në rreth 3 euro për kilogram vaj ekstra të virgjër, nga afro 4 euro një vit më parë.
Përmes kufizimit të përkohshëm të shitjeve, qeveria spanjolle synon të stabilizojë tregun dhe të mbrojë të ardhurat e fermerëve, të cilët rrezikojnë të shesin prodhimin me çmime gjithnjë e më të ulëta.
Por kriza nuk kufizohet vetëm në Spanjë.
Në Greqi, një tjetër prodhuese e rëndësishme e vajit të ullirit në Mesdhe, çmimet kanë rënë në nivele që po shkaktojnë shqetësim te fermerët.
Në rajonin e Mesinisë, çmimi që marrin prodhuesit për vajin e ri ekstra të virgjër ka zbritur në 3 deri në 3,30 euro për kilogram, ndërsa në tregun me shumicë të Peloponezit çmimet lëvizin rreth 3,50–3,60 euro.
Rënia e çmimeve po ndodh në një periudhë kur fermerët duhet të përballojnë shpenzimet e vjeljes, transportit dhe përpunimit të ullinjve, duke zvogëluar fitimin nga prodhimi.
Situata paraqitet disi ndryshe në Itali, ku vaji vendas vazhdon të tregtohet me çmime më të larta.
Sipas të dhënave të tregut italian ISMEA, në Bari çmimi i vajit ekstra të virgjër ka arritur në 5,05 euro për kilogram, ndërsa në Palermo dhe Trapani tregtohet rreth 6,35 euro.
Megjithatë, në tregun italian vaji i importuar nga Greqia dhe Spanja kuotohet rreth 3,63 euro për kilogram, duke treguar diferencën e konsiderueshme mes prodhimit vendas dhe furnizimeve nga jashtë.
Ndërkohë, në Shqipëri, ku prodhimi i ullirit këtë vit ka qenë i bollshëm, fermerët po përballen me të njëjtat probleme të çmimeve të ulëta, por pa masa të ngjashme ndërhyrjeje në treg.
Në zonën e Lushnjës dhe Beratit, fermerët raportojnë se çmimi i vajit të ullirit ka zbritur në rreth 500 lekë për kilogram, ndërsa sasi të konsiderueshme të prodhimit kanë mbetur të pashitura në shtëpi dhe magazina.
Prodhuesit ankohen se edhe me këto çmime është e vështirë të sigurojnë blerës, ndërsa kostot e mbledhjes së ullinjve, transportit dhe përpunimit vazhdojnë të rëndojnë mbi ta.
Problemi bëhet edhe më i madh për shkak të mungesës së organizimit të tregut, kapaciteteve të magazinimit dhe mundësive për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Shqipëria prodhon rreth 35 mijë tonë vaj ulliri në vit, por një pjesë e fermerëve vazhdojnë të mbështeten te shitjet individuale, pa kontrata të qëndrueshme dhe pa mekanizma të organizuar për përballimin e luhatjeve të çmimeve.
Ndërsa Spanja ka vendosur të tërheqë 188 mijë tonë vaj nga tregu për të mbrojtur prodhuesit, fermerët shqiptarë po përpiqen të shesin edhe rezervat ekzistuese, shpesh me çmime që sipas tyre nuk mbulojnë kostot.
Zhvillimet në Mesdhe pritet të vijojnë të ushtrojnë presion mbi çmimet e vajit të ullirit, sidomos nëse prodhimi i Spanjës dhe vendeve të tjera rezulton në nivelet e parashikuara.
Në këto kushte, fermerët shqiptarë rrezikojnë të përballen me një tjetër sezon me prodhim të lartë, por me të ardhura të ulëta dhe pa garanci për shitjen e vajit.
Ndërkohë që vendet e mëdha prodhuese po ndërmarrin masa për të mbrojtur tregun e tyre, prodhuesit shqiptarë mbeten në pritje të një zgjidhjeje për rezervat e pashitura dhe çmimet që po ulin ndjeshëm fitimet nga puna e tyre. /skyweb.al
















