Çdo herë që një avion ngrihet në ajër, brenda motorëve të tij ndodh një proces i jashtëzakonshëm inxhinierik. Bëhet fjalë për fletët e vogla të turbinave, të cilat duhet të përballojnë temperatura mbi 1,500 gradë Celsius dhe presione të jashtëzakonshme mekanike, pa humbur qëndrueshmërinë.
Sekreti qëndron te një teknologji e veçantë prodhimi. Ndryshe nga pjesët e zakonshme metalike, këto fletë nuk priten apo gdhenden nga një bllok materiali, por krijohen përmes një procesi të kontrolluar të derdhjes dhe ftohjes së metaleve të shkrira. Qëllimi është formimi i një strukture të përbërë nga një kristal i vetëm, çka u jep atyre rezistencë shumë të lartë ndaj temperaturave dhe stresit mekanik, shkruan BBC.
Kjo teknikë u zhvillua gjatë viteve 1960 dhe mbetet një nga proceset më komplekse në industrinë e prodhimit të motorëve të avionëve. Gjatë ftohjes së kontrolluar, një strukturë e vetme kristalore formohet brenda metalit, duke shmangur kufijtë mes kokrrizave të ndryshme, të cilët mund të dobësojnë materialin.
Për këtë proces përdoret edhe një element i veçantë në formë spiraleje, i njohur si “pigtail”, që ndihmon në kontrollimin e formimit të kristalit. Pasi fleta merr formën përfundimtare, kjo pjesë hiqet.

Vetëm një numër i kufizuar kompanish në botë e kanë përsosur këtë teknologji. Ndër to janë Rolls-Royce, GE Aerospace dhe kompania franceze Safran. Procesi është zotëruar në të gjithë zinxhirin e prodhimit vetëm nga pesë shtete, ndërsa Kina synon të bëhet vendi i gjashtë që arrin këtë nivel.
Rëndësia e këtyre komponentëve ka nxitur edhe investime të mëdha në industri. Në shtator, GE Aerospace njoftoi blerjen e furnizuesit të saj të fletëve të turbinave për 11.75 miliardë dollarë, ndërsa Rolls-Royce deklaroi se do të investojë më shumë se 19 milionë paund në objektin e saj të prodhimit në Rotherham të Britanisë së Madhe.
Fletët me strukturë kristalore të vetme përdoren në motorë të rëndësishëm të aviacionit, përfshirë Trent XWB-84, që fuqizon Airbus A350-900, dhe Trent 1000 XE, të përdorur në Boeing 787.
Përveç përbërjes së veçantë metalike, ato mbrohen edhe nga veshje qeramike që përballojnë temperaturat ekstreme. Brenda tyre krijohen gjithashtu kanale mikroskopike, përmes të cilave qarkullon ajër më i freskët, duke ndihmuar në uljen e temperaturës gjatë punës së motorit.
Prodhuesit po punojnë vazhdimisht për t’i bërë këto kanale më të ndërlikuara dhe për të ulur peshën e fletëve. Kjo do të mundësonte funksionimin e motorëve në temperatura dhe shpejtësi më të larta, duke përmirësuar efikasitetin dhe reduktuar konsumin e karburantit.
Ndërkohë, gara teknologjike është zhvendosur edhe ne Kine, e cila pretendon se ka zhvilluar aliazhe kristalore me cilësi të krahasueshme ose më të larta se disa prej materialeve të përdorura në Perëndim. Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se prodhuesit perëndimorë ruajnë avantazhin falë përvojës, zinxhirit të furnizimit dhe historikut të gjatë të sigurisë në aviacion. /skyweb.al
















