Video-loja e famshme “Grand Theft Auto” (GTA), e njohur për ndjekjet me makina, aksidentet dhe kaosin në qytetet e saj virtuale, po shërben si një laborator eksperimental për studiuesit që synojnë të bëjnë rrugët reale më të sigurta.
Studiues nga Gjermania dhe Holanda po përdorin mjedisin virtual të GTA V për të testuar teknologji të reja të sigurisë rrugore, përfshirë pajisje që paralajmërojnë çiklistët dhe këmbësorët për automjetet që afrohen, shkruan BBC.
Studiuesja Milena Jäger nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Osnabrück të Gjermanisë shpjegon se simulimi përmes lojës u mundëson të testojnë pajisje në situata që do të ishte tepër e rrezikshme të rikrijoheshin në rrugë reale.
Avantazhi i GTA V qëndron te grafika realiste, fizika e automjeteve dhe mundësia për të krijuar skenarë të ndryshëm trafiku, me kushte të ndryshme atmosferike dhe rreziqe të paparashikueshme. Kjo u ofron studiuesve një mjedis testimi më ekonomik dhe fleksibël sesa simulatorët tradicionalë të drejtimit.
Në një prej eksperimenteve, studiuesit testuan dy pajisje për çiklistët. E para vendoset në timonin e biçikletës dhe lëshon dridhje që shtohen në intensitet kur një automjet afrohet nga pas. Pajisja tjetër është një jelek që përdor të njëjtën teknologji për t’i sinjalizuar përdoruesit praninë e automjeteve, pa qenë nevoja të kthejnë kokën për të kontrolluar trafikun.
Për eksperimentin, pjesëmarrësit përdorën një biçikletë në laborator, përpara një ekrani ku shfaqej qyteti virtual Los Santos. Në skenarët e krijuar, automjete të rënda kalonin pranë tyre, duke simuluar situata potencialisht të rrezikshme.
Rezultatet treguan se të dyja pajisjet arritën të paralajmëronin çiklistët për rrezikun që afrohej. Megjithatë, teknologjitë janë ende në fazë kërkimore dhe nuk janë kthyer në produkte komerciale.
Përtej sigurisë së çiklistëve, studiuesit po përdorin gjithashtu GTA V për të analizuar mënyrën se si drejtuesit e automjeteve dhe përdoruesit e tjerë të rrugës vëzhgojnë trafikun në situata të rrezikshme. Të dhënat mund të ndihmojnë në projektimin e rrugëve dhe përmirësimin e sistemeve të sigurisë për të parandaluar aksidentet. /skyweb.al















