Gjatë ditëve të fundit, në Shqipëri ka pasur debate të shumta lidhur me praninë e aflatoksinës në qumësht dhe përgjegjësinë për këtë problem që rrezikon sigurinë ushqimore të qytetarëve.
Industria e përpunimit të qumështit ka ngritur alarmin për produktin që rezulton jashtë standardeve, duke kërkuar kontrolle më të forta dhe gjurmimin e sasive që refuzohen nga fabrikat. Nga ana tjetër, blegtorët kanë kundërshtuar përpjekjet për t’ua kaluar atyre përgjegjësinë, duke argumentuar se problemi fillon te misri i mykur apo i kontaminuar që përdoret për ushqimin e kafshëve.
Sipas blegtorëve, institucionet shtetërore duhet të garantojnë që ushqimi i kafshëve të jetë i sigurt përpara se të hidhet në treg, duke kërkuar përgjegjësi nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Ministria e Bujqësisë.
Ndërkohë që zhvillohet ky debat, një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i konsultuar nga Skyweb.al, zbulon probleme serioze në kontrollin e misrit të importuar dhe një rast konkret ku 104 tonë misër i kontaminuar me aflatoksinë B1 hynë në Shqipëri pa iu nënshtruar procedurave të detyrueshme të kontrollit dhe bllokimit.
Kush e ka fajin për qumështin me aflatoksinë? Blegtorët: Nuk i bien dot gomarit, i bien samarit!
Raporti i auditimit të performancës, me objekt “Kontrolli i cilësisë, magazinimi dhe importimi i drithërave (me fokus miellin)”, dokumenton se autoritetet kishin dijeni për rrezikun e kontaminimit të misrit që vinte nga Serbia, por kjo nuk pengoi hyrjen e ngarkesave në territorin shqiptar.
Konkretisht, më 7 nëntor 2025, Drejtori i Përgjithshëm i AKU-së kishte urdhëruar marrjen e mostrave dhe bllokimin e të gjitha ngarkesave të misrit blegtoral me origjinë nga Serbia, deri në konfirmimin laboratorik të sigurisë së tyre.
Megjithatë, sipas KLSH-së, gjatë periudhës 18 nëntor–10 dhjetor 2025, Modi sh.p.k. importoi përmes pikës kufitare të Hanit të Hotit tri ngarkesa misri rifuxho, me peshë totale rreth 104 tonë.
Për këto ngarkesa nuk rezulton të jenë marrë mostra në kufi dhe as të jetë vendosur masa e bllokimit, megjithëse kjo kërkohej shprehimisht nga urdhri i AKU-së.
Për pasojë, misri u lejua të hynte në qarkullim, të përzihej me lote të tjera dhe të administrohej nga operatori ekonomik pa u verifikuar paraprakisht siguria e tij.
Situata u zbulua vetëm gjatë inspektimeve të kryera në muajt shkurt dhe mars 2026 nga strukturat e AKU-së në Shkodër.
Më 12 shkurt 2026, Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së urdhëroi kontrollin e kompanisë dhe bllokimin e sasisë prej 104 tonësh misër, i destinuar për ushqimin e kafshëve, konkretisht të shpendëve.
Analizat laboratorike të mostrave të marra nga kjo sasi rezultuan jokonforme për praninë e aflatoksinës B1.
Por konstatimet e mëvonshme të inspektorëve zbuluan edhe një problem tjetër. Sipas KLSH-së, operatori ekonomik kishte lëvizur produktin e bllokuar, kishte hequr shenjat dalluese të bllokimit dhe e kishte përdorur ose hedhur në treg, duke pretenduar se ishte përdorur për ushqimin e shpendëve.
Për më tepër, një sasi tjetër prej 26 tonësh misër, që ishte bllokuar më herët në një silos të kompanisë, nuk gjendej më në gjendjen fillestare, pasi ishte përpunuar në ushqim të gatshëm për pula.
Auditimi zbulon gjithashtu se kompania kishte administruar rreth 639.5 tonë misër nga Serbia, Kroacia dhe Mali i Zi gjatë periudhës nëntor 2025–mars 2026.
Një pjesë e konsiderueshme e kësaj sasie ishte tregtuar përmes shitjeve të lira, ndërsa subjekti nuk dispononte dokumentacion të plotë për të identifikuar origjinën, lëvizjen dhe destinacionin e misrit.
Kjo do të thotë se institucionet nuk kishin mundësi të gjurmonin plotësisht ku kishte përfunduar produkti dhe cilët operatorë apo ferma e kishin marrë atë.
Për shkeljet e konstatuara, ndaj kompanisë u vendosën masa administrative dhe u urdhërua asgjësimi i produktit jokonform. Megjithatë, raporti nuk përcakton sasinë e misrit të kontaminuar që ishte përdorur apo tregtuar realisht, as sa prej tij është asgjësuar përfundimisht.
Rasti merr rëndësi të veçantë në kushtet e debatit të fundit mbi aflatoksinën në qumësht. Shkencërisht, aflatoksina B1 e pranishme në ushqimin e kontaminuar të bagëtive qumështore mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht.
Megjithatë, në rastin konkret, KLSH dokumenton misër të destinuar për ushqimin e shpendëve dhe nuk provon që kjo ngarkesë të jetë përdorur për ushqimin e lopëve apo të ketë shkaktuar kontaminimin e qumështit të hedhur në tregun shqiptar.
Ajo që provohet është dështimi i kontrollit shtetëror në dy faza: fillimisht moszbatimi i urdhrit për bllokimin e misrit në kufi dhe më pas mosrespektimi i bllokimit nga operatori ekonomik, edhe pse analizat laboratorike konfirmuan jokonformitetin e produktit.
KLSH konstaton gjithashtu se nuk rezulton të jetë bërë njoftimi i menjëhershëm i strukturave përgjegjëse për moszbatimin e procedurave të kontrollit kufitar.
Këto gjetje përforcojnë shqetësimet për mënyrën si kontrollohet ushqimi i kafshëve në Shqipëri dhe për aftësinë e institucioneve për të parandaluar qarkullimin e produkteve të kontaminuara.
Në këto kushte, mbetet e paqartë se ku përfundoi saktësisht misri i kontaminuar, kush e përdori dhe përse urdhri i AKU-së nuk u zbatua që në momentin e hyrjes së ngarkesave në kufi.
















