Shqiptarët kanë punuar mesatarisht 2,114 orë gjatë vitit 2024, por punëdhënësit i kanë paguar për një numër më të lartë orësh, duke përfshirë edhe ditët kur nuk kanë qenë fizikisht në punë.
Të dhënat bëhen të ditura nga INSTAT në Anketën e Kostos së Punës për vitin financiar 2024, të publikuar më 12 nëntor 2026.
Sipas raportit, një njësi pune me kohë të plotë është paguar mesatarisht për 2,367 orë gjatë vitit, ndërkohë që ka punuar realisht 2,114 orë.
Kjo do të thotë se rezulton një diferencë prej 253 orësh ndërmjet kohës së paguar dhe asaj të punuar realisht, ose rreth 10.7% e totalit të orëve të paguara.
Megjithatë, kjo diferencë nuk lidhet me pagesa të pajustifikuara apo me punë që nuk është kryer sipas detyrimeve kontraktuale.
INSTAT shpjegon se në orët e paguara përfshihen, përveç orëve të punës, edhe pushimet vjetore, festat zyrtare dhe lejet e tjera të paguara, gjatë të cilave punonjësi përfiton pagën edhe pse nuk është në vendin e punës.
Ndërsa treguesi i orëve realisht të punuara përfshin vetëm kohën gjatë së cilës punonjësit kanë kryer aktivitetin e tyre profesional.
Sipas përllogaritjeve, 253 orët e diferencës janë të barasvlershme me rreth 31.6 ditë pune tetorëshe, të cilat përfshijnë kohën e paguar pa punë efektive.
Anketa evidenton gjithashtu se kostoja mesatare mujore e punës për një punonjës me kohë të plotë ka arritur në 98,561 lekë, ndërsa kostoja mesatare për një orë pune ishte 559 lekë.
Nga totali i kostos së punës, 85.5% përbëhet nga pagat, shpërblimet dhe shtesat, ndërsa 14.3% nga kontributet e sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi.
Pjesa tjetër, prej 0.2%, përfshin shpenzimet për trajnimin profesional, rekrutimin dhe kosto të tjera që lidhen me punësimin.
Në anketë janë përfshirë ndërmarrjet jobujqësore me 10 ose më shumë të punësuar, duke përjashtuar administratën publike dhe disa aktivitete të tjera.
Sipas INSTAT-it, këto ndërmarrje kishin mesatarisht 397,328 të punësuar me pagë gjatë vitit 2024, ku pjesën dërrmuese e përbënin punonjësit me kohë të plotë.
Anketa e Kostos së Punës zhvillohet çdo katër vjet dhe synon të masë shpenzimet që përballojnë punëdhënësit për stafin, duke përfshirë pagat, kontributet dhe kostot e tjera të punësimit. /skyweb.al















