Testet shëndetësore që premtojnë zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe përmirësimin e gjendjes shëndetësore po bëhen gjithnjë e më të aksesueshme në internet. Por një studim i ri në Mbretërinë e Bashkuar paralajmëron se shumë prej tyre bëjnë pretendime të pambështetura në prova shkencore dhe mund të sjellin pasoja të dëmshme për konsumatorët.
Studiuesit analizuan 50 teste shëndetësore të reklamuara në internet, të cilat përfshinin kontrolle për mikrobiomën e zorrëve, analizat e gjakut, testet gjenetike, funksionin e mëlçisë dhe mushkërive, nivelet e kortizolit, si dhe ekzaminime të gjirit dhe legenit, radiografi të kraharorit dhe ekografi.
Testet ofroheshin si nga shitës online, ashtu edhe nga klinika fizike, ndërsa çmimet varionin nga 6.99 paund për një test të thjeshtë të albuminës në urinë, deri në 14 mijë paund për një paketë të quajtur “Platinum Assessment”, që përfshinte disa analiza, ekzaminime imazherike dhe kontroll fizik. Disa klinika ofronin edhe paketa luksoze në hotele apo qendra spa, ndërsa për promovimin e shërbimeve përdoreshin personazhe të njohur dhe influencues.
Megjithatë, sipas studimit të publikuar në revistën shkencore BMJ Open, një pjesë e konsiderueshme e këtyre shërbimeve premtonin përfitime pa prova të mjaftueshme shkencore. Nga 50 testet e analizuara, 16 pretendonin se mund të ndihmonin njerëzit të jetonin më gjatë, ndërsa 36 premtonin diagnostikim më të hershëm dhe rezultate më të mira shëndetësore.
Një tjetër problem i evidentuar ishte mungesa e informacionit mbi rreziqet e mundshme. Vetëm 15 prej testeve shpjegonin disavantazhet e ekzaminimeve, përfshirë mundësinë e rezultateve të pasakta apo rreziqet që lidhen me kontrollet fizike intime.
Studimi evidentoi gjithashtu se 14 ofrues propozonin ekzaminime të testikujve, 13 ekzaminime të gjirit dhe nëntë ekzaminime të legenit edhe për persona që nuk shfaqnin simptoma shqetësuese. Këto kontrolle nuk rekomandohen si procedura rutinë për të gjithë nga sistemi shëndetësor kombëtar britanik.
Studiuesit nga Universiteti i St Andrews në Skoci theksojnë se testet shëndetësore të kryera në shtëpi mund të ndihmojnë në plotësimin e boshllëqeve të sistemit shëndetësor, por vetëm nëse mbështeten në prova shkencore dhe ofrohen me informacion të qartë për pacientët.
Sipas tyre, ekzaminimet me cilësi të dobët mund të prodhojnë rezultate false pozitive, duke shkaktuar alarme të panevojshme, ose false negative, duke krijuar siguri të rreme te personat që mund të kenë një problem shëndetësor. Përveç shqetësimit psikologjik, kjo mund të sjellë edhe shpenzime të panevojshme për individët.
Paralajmërimi vjen edhe në një kohë kur autoritetet britanike kanë ndërhyrë ndaj reklamave për teste të tilla. Autoriteti i Standardeve të Reklamimit në Mbretërinë e Bashkuar la në fuqi ndalimin e reklamave të kompanisë online Voy për një test të testosteronit që mund të kryhej në shtëpi.
Sipas autoritetit, reklamat ishin çorientuese, pasi lidhnin simptoma të zakonshme, si lodhja dhe nervozizmi, me nivelet e ulëta të testosteronit, duke nxitur burrat të blinin testin.
Ekspertët nënvizojnë se disponueshmëria e një testi në internet nuk është garanci për saktësinë apo domosdoshmërinë e tij dhe se kontrollet shëndetësore duhet të bazohen në rekomandimet mjekësore dhe në prova të verifikuara shkencore. /skyweb.al















