Çmimet e apartamenteve dhe qiratë janë kthyer në një problem serioz për përballueshmërinë e strehimit në Shqipëri. Më shumë se 95% e qytetarëve të anketuar nuk shprehen të kënaqur me mundësinë për të siguruar një banesë apo qira me çmim të përballueshëm, duke e renditur Shqipërinë në vendin e fundit në Ballkanin Perëndimor.
Sipas anketës më të fundit SecuriMeter 2026, të publikuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), vetëm 3,6% e shqiptarëve deklarojnë se janë kryesisht ose plotësisht të kënaqur me disponueshmërinë dhe përballueshmërinë e banesave dhe qirave.
Kjo është përqindja më e ulët mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe gati shtatë herë më e vogël se mesatarja rajonale prej 24,7%.

Diferenca me vendet e tjera është veçanërisht e madhe. Në Bosnjë-Hercegovinë, 35,5% e qytetarëve janë të kënaqur me mundësitë e strehimit, ndërsa në Kosovë kjo përqindje arrin në 33,7%.
Në Mal të Zi, 30,9% e të anketuarve shprehen të kënaqur, në Serbi 28,6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 16,1%.
Shqipëria mbetet shumë larg edhe vendit të parafundit, me një diferencë prej 12,5 pikësh përqindjeje.
Rezultatet tregojnë një nivel jashtëzakonisht të ulët kënaqësie me mundësinë për të siguruar strehim të përballueshëm, në një treg ku çmimet e blerjes dhe qiratë përbëjnë një barrë të rëndësishme për buxhetet familjare.
Megjithatë, pjesa prej 96,4% që nuk deklarohet e kënaqur nuk përbëhet domosdoshmërisht vetëm nga qytetarë të pakënaqur, pasi përfshin edhe përgjigjet neutrale dhe ata që nuk kanë dhënë një vlerësim.
Situata rezulton problematike edhe në krahasim me vitin e kaluar.
Në vitin 2025, përqindja e shqiptarëve që shpreheshin të kënaqur me përballueshmërinë e banesave dhe qirave ishte 6,3%. Në vitin 2026, kjo përqindje ka zbritur në vetëm 3,6%, ose 2,7 pikë përqindjeje më pak.
Një tjetër tregues shqetësues lidhet me koston e përgjithshme të jetesës.
Plot 96,6% e shqiptarëve deklarojnë se janë të shqetësuar për koston e jetesës dhe inflacionin, përqindja më e lartë në Ballkanin Perëndimor, ku mesatarja është 83,4%.
Vështirësitë ekonomike reflektohen edhe në mundësinë për të përballuar shpenzimet e domosdoshme të banesës.
Vetëm 50,6% e të anketuarve në Shqipëri deklarojnë se kanë mundësi financiare ta mbajnë banesën mjaftueshëm të ngrohtë gjatë dimrit dhe të freskët gjatë verës.
Në nivel rajonal, kjo përqindje arrin në 62,4%, duke treguar një diferencë të ndjeshme me Shqipërinë.
Ndërkohë, vetëm 35,4% e shqiptarëve deklarojnë se mund të përballojnë një shpenzim të paparashikuar prej 1.000 eurosh, pa marrë borxh apo kërkuar ndihmë nga të tjerët.
Të dhënat nxjerrin në pah një problem të gjerë të përballueshmërisë ekonomike, ku sigurimi i një banese dhe mbulimi i shpenzimeve të përditshme përbëjnë sfida të rëndësishme për familjet.
Anketa është realizuar gjatë periudhës 1–17 shtator 2026, përmes intervistave me 6.003 qytetarë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, prej të cilëve 1.001 në Shqipëri.
Rezultatet matin perceptimet dhe kënaqësinë e qytetarëve, jo çmimet reale të shitjes apo të qirasë së apartamenteve. Megjithatë, ato e vendosin Shqipërinë në pozicionin më problematik të rajonit për sa i përket kënaqësisë me mundësinë e sigurimit të një strehe me kosto të përballueshme. /skyweb.al














