Ky vit ka qenë veçanërisht i mbarë për fermerët e Dumresë dhe zonave përreth, ku prodhimi i ullirit ka qenë i bollshëm dhe cilësia e vajit të përftuar mjaft e mirë. Por, ndërsa toka ka shpërblyer mundin e fermerëve, prodhimi i lartë ka sjellë edhe përpjekje për të ulur artificialisht çmimin e vajit, duke rrezikuar që përfituesit më të mëdhenj të mos jenë ata që kanë punuar gjatë gjithë vitit.
Prej javësh qarkullojnë pretendime se vaji i ullirit i këtij sezoni po shitet me 350-400 lekë për litër, një çmim që jo vetëm nuk mbulon kostot reale të prodhimit, por krijon edhe një perceptim të gabuar për vlerën e produktit në treg.
Por verifikimet e kryera nga Skyweb.al tregojnë një tjetër realitet.
Burime nga tregu bëjnë me dije se vaji që ofrohet me çmime 350-400 lekë për litër është kryesisht prodhim i një apo dy viteve më parë, i cili ka mbetur stok dhe po nxirret në shitje për t’u likuiduar.
Ndërkohë, vaji i freskët i këtij sezoni tregtohet me çmime më të larta, ndërsa kërkesa mbetet e konsiderueshme. Blerës të shumtë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë udhëtojnë drejt Belshit dhe fshatrave të Dumresë për të blerë vaj ulliri drejtpërdrejt në fabrikat e përpunimit, duke shmangur ndërmjetësit.
Por pas pretendimeve për çmime kaq të ulëta lind një pyetje: Kush përfiton nga krijimi i perceptimit se vaji i ullirit kushton vetëm 350-400 lekë për litër?
Burime për Skyweb.al tregojnë se gjatë këtij sezoni ka pasur tentativa nga tregtarë dhe ndërmjetës për t’u ofruar fermerëve pikërisht këto çmime, duke shfrytëzuar prodhimin e bollshëm dhe nevojën e tyre për të shitur produktin.
Problemi është se shifra të tilla nuk justifikojnë as shpenzimet e fermerëve.
Sipas përllogaritjeve të burimeve të Skyweb.al, vetëm mbledhja e ullirit dhe përpunimi në fabrikë kanë një kosto prej rreth 250-270 lekësh për çdo litër vaj të prodhuar.
Nëse kësaj shume i shtohen shpenzimet për mirëmbajtjen e ullishteve gjatë gjithë vitit, krasitja, punimi i tokës, trajtimet e nevojshme dhe krahu i punës, kostoja reale e prodhimit arrin në mbi 500-550 lekë për litër.
Kjo do të thotë se një fermer që shet vajin me 350-400 lekë për litër jo vetëm nuk siguron fitim, por nuk mbulon as shpenzimet e kryera.
Pikërisht këtu qëndron edhe shqetësimi i prodhuesve. Çmimet e ulëta që promovohen në treg mund të shërbejnë si instrument presioni për të blerë vajin e freskët nën koston e prodhimit, duke e transferuar fitimin nga fermerët te hallkat e tregtimit.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të mungesës së mbështetjes së mjaftueshme financiare për prodhuesit e ullirit. Fermerët përballojnë vetë një pjesë të madhe të kostove të kultivimit, vjeljes dhe përpunimit, pa subvencione direkte për prodhimin që do t’u mundësonin uljen e kostos përfundimtare të produktit.
Ndërkohë, Dumreja është kthyer gjatë dy dekadave të fundit në një prej zonave me zgjerimin më të dukshëm të kultivimit të ullirit. Sipërfaqe të mëdha toke janë mbjellë me ullinj, falë investimeve dhe punës së vazhdueshme të familjeve të kësaj zone.
Nga viti në vit, parcelat janë zgjeruar dhe prodhimi është rritur, duke e shndërruar ullirin në një burim të rëndësishëm të ardhurash për ekonominë vendase.
Por superprodhimi, që normalisht duhet të jetë një lajm i mirë për fermerët, rrezikon të kthehet në një problem ekonomik nëse shfrytëzohet nga tregtarët për të imponuar çmime që nuk mbulojnë as kostot. /skyweb.al
















