Kur blejnë një apartament, shumica e njerëzve, pasi e kanë vizituar pronën dhe kanë shfaqur interes për të, bëjnë pothuajse gjithmonë të njëjtën pyetje: “Sa është çmimi i fundit?”.
Por kjo është një pyetje që blerësit nuk duhet të nxitojnë ta bëjnë sipas agjentëve imobiliarë.
Duke kërkuar menjëherë çmimin përfundimtar, ata i sinjalizojnë shitësit se janë të interesuar për pronën, pa mbledhur më parë informacionin që mund t’u japë avantazh gjatë negociatave.
Madje, ulja prej 3% apo 5% që ofron pronari mund të jetë parashikuar prej tij që në momentin e vendosjes së çmimit fillestar, shkruan skyweb.al.
Përpara se të negocioni, duhet të krijoni një ide të qartë mbi çmimet e apartamenteve të ngjashme në zonë, sipërfaqen neto dhe bruto, cilësinë e ndërtimit, orientimin, katin, gjendjen e pallatit dhe dokumentacionin e pronësisë.
Më pas, janë tri pyetje që mund të ndryshojnë ndjeshëm pozitat tuaja në negociata.
1. Prej sa kohësh apartamenti është në shitje?
Një apartament që ka dy javë në treg dhe një tjetër që nuk po shitet prej dhjetë muajsh, edhe nëse kanë të njëjtin çmim, ofrojnë mundësi krejt të ndryshme negocimi.
Sa më gjatë të qëndrojë një apartament në shitje, aq më i prirur mund të jetë pronari për të pranuar një ofertë më të ulët.
Interesohuni nëse çmimi është ulur më parë, nëse ka pasur oferta konkrete nga blerës të tjerë dhe përse ato nuk janë pranuar. Këto informacione ju ndihmojnë të kuptoni se sa fleksibël është realisht shitësi.
2. Përse pronari po e shet apartamentin?
Në negociatat për blerjen e një prone, motivimi i shitësit mund të jetë po aq i rëndësishëm sa vetë çmimi.
Pronari mund të ketë nevojë urgjente për likuiditet, të jetë duke u larguar jashtë vendit, të ketë dhënë kapar për një apartament tjetër apo të kërkojë ndarjen e një pasurie të trashëguar.
Një shitës që ka nevojë për para brenda një muaji negocion ndryshe nga dikush që mund të presë edhe dy vite.
Në këto raste, gatishmëria e blerësit për të përfunduar shpejt transaksionin, pasi të ketë verifikuar dokumentacionin, mund të vlejë disa mijëra euro në negociata.
3. Çfarë investimesh kërkon apartamenti dhe sa kushtojnë ato?
Mos u përqendroni vetëm tek arredimi dhe pamja estetike. Kontrolloni instalimet elektrike dhe hidraulike, lagështirën, izolimin termik dhe akustik, gjendjen e dritareve, kuzhinës dhe tualeteve.
Vëmendje duhet t’i kushtoni edhe ashensorit, fasadës, tarracës dhe ambienteve të përbashkëta të pallatit, pasi mirëmbajtja apo rikonstruksioni i tyre mund të sjellë shpenzime shtesë.
Nëse një apartament kushton 150 mijë euro, por kërkon 15 mijë euro investime, kostoja reale për blerësin arrin në 165 mijë euro, pa përfshirë shpenzimet e transaksionit.
Duke identifikuar mangësitë dhe përllogaritur kostot konkrete, krijoni argumente financiare për të negociuar, në vend që të kërkoni thjesht një ulje arbitrare të çmimit.
Sekreti i një negocimi të suksesshëm nuk qëndron tek aftësia për të kërkuar ulje, por tek informacioni që zotëroni për pronën, tregun dhe motivimin e shitësit.
Vetëm pasi të keni marrë përgjigjet e këtyre tri pyetjeve, duhet të kaloni te diskutimi i çmimit. Madje, në vend që të pyesni “Sa është çmimi i fundit?”, bëni vetë një ofertë të argumentuar, me laps dhe letër./skyweb.al















