Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria është shumë afër finalizimit të një linje direkte ajrore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Deklarata u bë gjatë ceremonisë së përurimit të linjës së parë direkte mes Shqipërisë dhe Kanadasë, Tiranë–Toronto, e cila shënon edhe fluturimin e parë transoqeanik nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.
Rama tha se hapja e lidhjes ajrore me Kanadanë është pjesë e një strategjie më të gjerë për forcimin e lidhjeve direkte të Shqipërisë me tregjet e mëdha ndërkombëtare.

“Objektivi ynë strategjik është që së shpejti të kemi edhe linjën tjetër direkte, atë me Shtetet e Bashkuara. Edhe në raport me këtë objektiv është bërë përparim dhe mund të them se jemi shumë më afër finalizimit se sa çfarë mund të mendonim vetëm pak vite më parë,” deklaroi kryeministri.
Sipas tij, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka regjistruar një rritje të jashtëzakonshme vitet e fundit, duke u renditur mes aeroporteve me zgjerimin më të shpejtë në Europë për numrin e pasagjerëve.
“Të dhënat e aeroportit të Tiranës janë të jashtëzakonshme. Aeroporti i Tiranës mban vendin e parë prej disa vitesh në Europë për rritjen e numrit të pasagjerëve. Mjafton shifra e ndryshuar e 9 viteve, nga 2016 deri në 2025-n, për të kuptuar se çfarë rritje marramendëse ka ndodhur me aeroportin e Tiranës,” tha Rama.

Kryeministri njoftoi gjithashtu se aeroporti do të hyjë në një fazë të re modernizimi, me fokus transformimin digjital dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në proceset hyrëse.
“Së shpejti, po këtu, ne do të hapim një kapitull të ri të transformimit digjital të aeroportit dhe modernizimit të mëtejshëm të tij, kapitullin e portave digjitale, të cilat do të jenë porta ku do të hyhet pa asnjë lloj kontrolli,” u shpreh ai.

Rama tha se portat digjitale do të lehtësojnë fillimisht hyrjen e pasagjerëve shqiptarë që kanë pasaportë biometrike, ndërsa më pas sistemi do të shtrihet edhe për pasagjerët e huaj.
“Nëse je shqiptar dhe nëse ke një pasaportë biometrike shqiptare, kjo do të bëjë që për të gjithë pasagjerët shqiptarë që hyjnë në aeroportin e Rinasit të jetë një hyrje si në shtëpinë e tyre dhe i gjithë informacioni do të merret përmes inteligjencës artificiale që do të ketë kjo portë. Ideja është që të fillojë me pasagjerët vendas dhe menjëherë të fillojë me pasagjerët e huaj,” nënvizoi kryeministri.
Fluturimi inaugurues nga Tirana drejt Torontos realizohet sot, më 19 qershor, ndërsa operimet do të vijojnë gjatë sezonit veror deri më 9 tetor 2026, me një frekuencë javore.
Linja e re i përgjigjet kërkesës në rritje për fluturime direkte mes Shqipërisë, rajonit dhe Kanadasë. Vlerësohet se rreth 60 mijë pasagjerë në vit lëvizin në këtë drejtim, kryesisht për turizëm, vizita familjare dhe nevojat e komuniteteve të diasporës.
Me hapjen e linjës Tiranë–Toronto, Shqipëria hyn për herë të parë në hartën e fluturimeve direkte transoqeanike, ndërsa qeveria synon që hapi i radhës të jetë lidhja pa ndalesë me Shtetet e Bashkuara. /skyweb.al
















