Shpëtim Aliu, që drejtonte një nga kartelet kriminale të trafikut të kokainës në Ekuador dhe furnizonte grupe të ndryshme kriminale me lëndë narkotike, dyshohet të ketë pastruar me ndihmën e vëllait të tij, Isa Aliu, miliona euro pasuri në ndërtimin e vilave apo hoteleve luksoze.
Në dosjen e SPAK zbardhet mënyra sesi vëllezërit Aliu u shndërruan në investitorë, për shkak se pastronin paratë e kokainës, pasi për vite më radhë kompania që ata zotëronin rezultonte me humbje.
Pastrimi i parave
“Pika kyçe në procesin e ndërlikuar të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale të kryer nga Isa Aliu, është kompania “Aliu Road House” shpk, e zotëruar ligjërisht prej tij. Kjo kompani është themeluar më datë 11.08.2008, ndërkohë që deri në vitin 2021, aktiviteti kryesor i kësaj kompania ka qenë “tregtia e produktive ushqimore e pijeve alkoolike”. Për gjatë këtyre viteve (2008 – 2020), kjo kompani ka deklaruar zyrtarisht në bilancet e saj, një humbje totale prej 17.691.063 lekësh. Prej vitit 2021, kompania “Aliu Road House” shpk, rezulton se ka zgjeruar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit në vendin tonë, duke deklaruar në bilancin e vitit 2021 një fitim.
“Në vitin 2020, i hetuari Isa Aliu filloi të investonte në biznese, si një pikë prodhimi inertesh në zonën e Romanatit në Durrës dhe në muajt maj 2021 – qershor 2021, rezulton se kompania “Aliu Road House” shpk, ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit. Isa Aliu orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë, do të “justifikonte” sërish flukset e ardhshme të parave cash dhe ekspansionin e pritshëm në sektorin e ndërtimit.
Përpara kësaj periudhe kompania “Aliu Road House” shpk., nuk ka patur infrastrukturën e nevojshme për futjen në tregun e ndërtimit, si dhe nuk ka patur kapital të lartë qarkullues për zhvillimin e këtij aktiviteti, veçmas huave të marra nga lidhjet familjare. Në po të njëjtin vit, identifikohen bashkëpunimet e para të kompanisë “Aliu Road House” me subjekte të tjera në fushën e ndërtimit, të cilat më pas kanë shërbyer për t’i dhënë mundësi Isa Aliut dhe kompanisë së tij të vijonte investimet e shumta, me kapitale “të justifikuara”.
Paratë e përfituara u shfrytëzuan për të blerë pasuri të paluajtshme, kryesisht toka për ndërtime të tjera. Pas rritjes zyrtare të kapitalit të kompanisë, ndërmjet viteve 2021-2023, Isa Aliu lidhi marrëveshje ndërtimi me kompaninë “Sviluppo Mare 1” shpk, me qëllim ndërtimin e rezidencave “Lalzi Marina Seaside” dhe “Porto Lalzi Villas”, të vendosura në zonën ekskluzive të Hamallajt, Durrës.
Konkretisht, në kompleksin “Lalzi Marina Seaside”, kompania “Aliu Road House” ka ndërtuar me kapitalet e saj, si nënkontraktore, 90 mijë metra katrorë ndërtim, me një vlerë totale rreth 30 milionë euro. Ndërsa në kompleksin tjetër “Porto Lalzi Villas”, kompania “Aliu Road House”, kësaj here në rolin e investitorit, ka lidhur dy kontrata sipërmarrjeje për ndërtim, më datat 14.02.2023 dhe 17.03.2023, me kompaninë “Sviluppo Mare 1” shpk, për një vlerë prej 12.079.410 euro.
SPAK firmosi 10 urdhër-arreste për Nikoll Bibaj, Isa Aliu, Sokol Bibaj, Florjan Musaj (i vetmi i arrestuar), Armando Pacani, Eldi Dizdari alias Denis Matoshi, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu, Dritan Gjika dhe Salvatore alias Shpëtim Aliu. /vna.al
















