Nuk janë vetëm lëshimet e raketave dhe koncertet e muzikës që çojnë në humbjen e dëgjimit. Shumë aktivitete të zakonshme të përditshme mund të dëmtojnë dëgjimin. Ja çfarë mund të bëni për të mbrojtur veshët tuaj për dekadat që vijnë.
Nëse e lini pas dore stërvitjen në palestër, mund t’i rindërtoni muskujt brenda disa muajsh me përkushtim dhe punë. Por dëgjimin? Atë nuk mund ta riktheni. “Pasi humbet, humbet përgjithmonë,” thotë Valerie Pavlovich Ruff, audiologe dhe specialiste për humbjen e dëgjimit në Cleveland Clinic, Ohio, SHBA.
Edhe pse dihet prej kohësh se dëgjimi përkeqësohet me kalimin e moshës, audiologët po vërejnë gjithnjë e më shumë raste të humbjes së dëgjimit tek pacientë të rinj – përfshirë adoleshentë dhe fëmijë nën moshën 10 vjeç.
“Kur jemi të rinj, zakonisht nuk kujdesemi sa duhet për veshët tanë,” thotë Jamie Bogle, audiologe në Mayo Clinic, Arizona, SHBA. “Por këto episode grumbullohen me kalimin e kohës, kështu që gjërat që kemi bërë në rini mund të shfaqin pasojat më vonë në jetë.”
Dhe nuk janë vetëm lëshimet e raketave apo koncertet e muzikës së rëndë për të cilat duhet të shqetësoheni – shumë aktivitete të zakonshme mund të kenë një ndikim të papritur në dëgjimin tuaj afatgjatë. Lexoni më tej për të mësuar si t’i mbroni veshët për vitet që vijnë.
Si funksionon dëgjimi
Pas daulles së veshit, thellë në veshin e brendshëm, ndodhet një strukturë e mbushur me lëng e quajtur koklea (cochlea). Ajo është e veshur me mijëra qeliza të vogla me qime. Në majë të secilës qelizë ndodhen dhjetëra qime shumë të holla e delikate, ndërsa në bazë ka një neuron që lidhet me nervin e dëgjimit, i cili dërgon sinjale elektrike drejt trurit.
Kur tingulli hyn në vesh në formën e valëve të presionit, këto qime të vogla lëkunden si pemët në erë. Lëvizja e tyre shndërrohet në impulse elektrike, të cilat truri ynë i interpreton si tinguj.
Ekspozimi ndaj zhurmave shumë të forta për një kohë të gjatë vepron si një stuhi e fuqishme, duke i përkulur ose thyer këto qime të imëta. Ndryshe nga qerpikët, ato nuk rriten më.
“Në nivelin e zhurmës që luhet zakonisht në shumicën e ambienteve, ngarkesa e vazhdueshme mbi veshin e brendshëm bëhet e dëmshme pas vetëm 10 ose 15 minutash,” shpjegon Pavlovich Ruff.
“Muzika live zakonisht është e amplifikuar dhe pothuajse gjithmonë është tepër e fortë,” thotë ajo. “Prandaj, nëse dëshironi të qëndroni gjatë gjithë koncertit, duhet të përdorni tapa për veshët. Por tapat prej shkume e shtrembërojnë cilësinë e muzikës.”
Në vend të tyre, ajo rekomandon përdorimin e tapave me besnikëri të lartë (high-fidelity earplugs), të cilat e ulin volumin pa ndryshuar cilësinë e tingullit.
“Mund të gjeni tapa shumë cilësore për rreth 25 dollarë (19 paund) ose më pak,” thotë Pavlovich Ruff. Dashamirësit e mëdhenj të muzikës mund të investojnë në tapa profesionale të personalizuara për muzikantë, të cilat kushtojnë rreth 175 dollarë (133 paund) dhe përshtaten nga audiologët.
E njëjta gjë vlen edhe për aktivitetet sportive, pasi stadiumet shpesh krenohen me nivelin e lartë të zhurmës që krijojnë tifozët.
“Shpesh shoh foshnja që mbajnë mbrojtëse për dëgjimin në stadiume, ndërsa prindërit e tyre jo,” thotë Pavlovich Ruff. “Po veshët tuaj? A nuk doni të jeni në gjendje ta dëgjoni këtë fëmijë kur të rritet?”
Megjithatë, shumica prej nesh shkojnë në koncerte ose ndeshje sportive vetëm herë pas here. Kontakti ynë kryesor me muzikën dhe tingujt e fortë vjen përmes kufjeve.
“Adoleshentët dhe madje edhe fëmijët e vegjël po fillojnë të përjetojnë humbje të dëgjimit nga dëgjimi i zhurmave të forta për periudha të gjata,” thotë Pavlovich Ruff.
Ajo kujton rastin e një vajze gjashtëvjeçare që trajtoi kohët e fundit. Edhe pse familja nuk kishte vënë re ndonjë ndryshim në dëgjimin e saj, Pavlovich Ruff konstatoi shenja dëmtimi të shkaktuara nga përdorimi i laptopit të shkollës me volumin në maksimum.
Një studim me fëmijë nëntëvjeçarë në Suedi zbuloi një ndryshim të vogël, por statistikisht të rëndësishëm, në dëgjim midis atyre që përdornin rregullisht kufje dhe atyre që nuk i përdornin.
Studiuesit vlerësojnë se deri në 1.35 miliardë njerëz nën moshën 35 vjeç mund të jenë në rrezik për humbje të parakohshme të dëgjimit për shkak të ekspozimit ndaj tingujve të amplifikuar dhe përdorimit të pajisjeve personale për dëgjim.
Shumë pajisje moderne e kufizojnë automatikisht volumin në nivele të sigurta përmes sistemeve të kontrollit të volumit, dhe është e rëndësishme t’i respektoni këto kufij, thotë Pavlovich Ruff.
“Nëse mbani kufje dhe mund të komunikoni normalisht me dikë që qëndron pranë jush, atëherë volumi është në rregull. Nëse personi duhet të bërtasë që ta dëgjoni ose nuk e dëgjoni fare, atëherë muzika është ndoshta shumë e fortë.”
















