Gjermania po shqyrton rritjen graduale të moshës së pensionit deri në 70 vjeç, në përpjekje për të përballuar plakjen e popullsisë dhe presionin në rritje mbi skemën e pensioneve.
Qeveria e koalicionit CDU/CSU–SPD, e drejtuar nga kancelari Friedrich Merz, pritet të hapë në vjeshtë diskutimet për reformën më të madhe të pensioneve të viteve të fundit. Synimi është që projektligji të miratohet brenda fundit të vitit.
Sipas propozimit të hartuar nga një komision ekspertësh, mosha e daljes në pension do të lidhet me jetëgjatësinë.
Nga viti 2041, kufiri parashikohet të rritet me gjashtë muaj në çdo dekadë. Mosha e pensionit do të shkojë në 67 vjeç e gjashtë muaj në vitin 2041, në 68 vjeç më 2051 dhe gradualisht në 70 vjeç nga viti 2090.
Ekspertët propozojnë gjithashtu heqjen e mundësisë për pension të parakohshëm në moshën 63-vjeçare pa ulje të përfitimit, edhe për personat që kanë plotësuar 45 vite sigurime.
Përjashtime pritet të ruajnë punonjësit që kanë kryer punë të rënda ose që përballen me probleme serioze shëndetësore.
Reforma parashikon edhe krijimin e një skeme të detyrueshme pensioni plotësues. Punonjësit dhe punëdhënësit do të paguajnë secili kontribute të barabarta, në total 2% të pagës bruto, të cilat do të investohen në tregjet financiare përmes një fondi shtetëror.
Në sistemin e përgjithshëm të pensioneve propozohet të përfshihen gradualisht edhe nëpunësit civilë dhe deputetët, të cilët aktualisht përfitojnë nga skema të veçanta.
Një tjetër ndryshim është vendosja e një “faktori qëndrueshmërie”. Rritja e pensioneve nuk do të lidhet vetëm me pagat, por edhe me raportin mes numrit të punonjësve që paguajnë kontribute dhe pensionistëve.
Ekspertët kërkojnë gjithashtu kufizimin gradual të të ashtuquajturave “mini jobs”, të cilat aktualisht përjashtohen pjesërisht nga kontributet, me synim zgjerimin e bazës së sigurimeve.
Bizneset e kanë mirëpritur planin si një masë për garantimin e qëndrueshmërisë financiare. Sindikatat kundërshtojnë veçanërisht heqjen e pensionit të parakohshëm për personat me shumë vite pune.
Qeveria argumenton se pa ndryshime të thella, rritja e jetëgjatësisë dhe pakësimi i fuqisë punëtore do ta bëjnë gjithnjë e më të vështirë financimin e pensioneve në dekadat e ardhshme.
















