Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit jubilar të 25-të të Panairit të Librit në Ulqin, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në rajon, që mbledh autorë, botues dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit vlerësoi organizatorët për kthimin e panairit në një traditë të rëndësishme kulturore dhe theksoi rolin e Ulqinit si një qytet ku, sipas tij, shqipja mbetet “gjuha e familjes, e kujtesës dhe e krijimtarisë”.
Begaj u ndal te rëndësia e librit për formimin e shoqërisë, duke theksuar se ai nuk shërben vetëm për të dhënë informacion, por ndihmon në zhvillimin e mendimit kritik, dialogut dhe aftësisë për të kuptuar këndvështrime të ndryshme.
Presidenti vuri theksin edhe te roli i librit në ruajtjen e gjuhës shqipe, traditës dhe identitetit kombëtar, duke nënvizuar se gjuha mbetet e gjallë vetëm kur lexohet, shkruhet dhe u transmetohet brezave të rinj.
Ai bëri thirrje që libri të trajtohet si një prioritet kombëtar, jo vetëm gjatë aktiviteteve promovuese, por edhe përmes investimeve në biblioteka, mbështetjes për autorët, botuesit e përkthyesit, si dhe afrimit të leximit me fëmijët.
Gjatë vizitës në Ulqin, Presidenti Begaj u prit edhe nga kryetari i Komunës, Genci Nimanbegu, me të cilin diskutoi mbi projektet zhvillimore të komunës dhe forcimin e përfaqësimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi. Më pas, ai zhvilloi një takim edhe me përfaqësues të forcave politike shqiptare në Ulqin, ku shprehu mbështetjen e shtetit shqiptar për të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi dhe vlerësoi bashkëpunimin mes komunave të Ulqinit e Tuzit si një urë lidhëse mes dy vendeve.



















