Trafiku ajror në Shqipëri po zgjerohet me ritme shumë më të shpejta se mesatarja europiane. Gjatë gushtit 2026, në vend u realizuan 9.590 fluturime tregtare, 22% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 7.859.
Me këtë rritje, Shqipëria renditet e dyta mes vendeve europiane të përfshira në të dhënat e Eurostatit, pas Sllovakisë, ku fluturimet u shtuan me 37%. Pas Shqipërisë renditen Mali i Zi me 16,1% dhe Maqedonia e Veriut me 15,8%.

Rritja ishte e fortë gjatë gjithë sezonit veror. Shqipëria regjistroi 8.598 fluturime në qershor, 9.558 në korrik dhe 9.590 në gusht.
Në total, gjatë tre muajve të verës u kryen 27.746 fluturime tregtare, rreth 26,7% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Kjo ecuri reflekton zgjerimin e linjave ajrore, shtimin e destinacioneve dhe rritjen e kërkesës turistike për Shqipërinë.
Në Bashkimin Europian, ndërkohë, gjatë periudhës qershor–gusht u regjistruan më shumë se 2 milionë fluturime. Vetëm në gusht u kryen 708.980 fluturime, me një rritje vjetore prej 2,3% dhe 5,7% krahasuar me vitin 2024.
Korriku ishte muaji më i ngarkuar në BE, me 709.931 fluturime, ndërsa në qershor u regjistruan 662.480. Në gusht, fluturimet u rritën në 19 vende të Bashkimit Europian dhe ranë në tetë të tjera.
Të dhënat përfshijnë fluturimet tregtare të programuara dhe të paprogramuara për transportin e pasagjerëve, mallrave dhe postës. Ato matin numrin e fluturimeve dhe jo numrin e udhëtarëve.















