Disa raste të dyshuara korrupsioni, shpërdorimi detyre dhe ngritjeje të një skeme të organizuar zhvatjeje ndaj bizneseve në doganat e Durrësit dhe Kapshticës janë denoncuar gjatë muajve të fundit pranë institucioneve ligjzbatuese, prokurori, përfshirë SPAK, si dhe brenda vetë administratës doganore.
Megjithatë, sipas burimeve të skyweb.al, deri më tani nuk ka pasur një reagim të dukshëm institucional ndaj ankesave të ngritura nga bizneset, të cilat flasin për një skemë të dyshuar ryshfetesh dhe presioni sistematik në pikat doganore.
Në qendër të këtyre denoncimeve përmendet emri i zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Doganave, Erald Delilaj, ndaj të cilit, sipas burimeve, janë ngritur akuza të forta për përfshirje të dyshuar në praktika korruptive dhe favorizime të subjekteve të caktuara tregtare.
Bizneset ankohen për ekzistencën e një rrjeti doganierësh që dyshohet se veprojnë në koordinim për të ushtruar presion mbi bizneset, duke kushtëzuar procedurat doganore me pagesa të paligjshme.
Në njerin prej denoncimeve që ka parë redaksia, përmenden raste konkrete rryshfeti, emra subjektesh të favorizuara, data, shuma parash dhe çfarëdo detaji tjetër që nëse i shkohet deri në fund, prokurorisë, qoftë dhe asaj të posaçme do t’i duhej një furgon i madh për të realizuar arrestimet.
Në të njëjtin dokument flitet edhe për një rast të njoftuar për asgjësim malli gjoja të dëmtuar pak javë më parë në Doganën e Durrësit, si edhe tarifa për kontrabandim cigaresh, pijes energjike, kalim furgonësh nga Anglia, etj., akuza të cilat redaksia po i verifikon përmes burimeve të tjera, për te mos mbetur vetëm te pretendimet e bizneseve.
Ankesat përfshijnë raste të dyshuara të kalimit të mallrave kontrabandë, manipulimit të vlerës doganore të automjeteve, trajtimit preferencial të disa importuesve dhe vendosjes së tarifave të paligjshme ndaj subjekteve që operojnë në këto pika doganore.
Mësohet se grupi në fjalë ka edhe një anëtar në Doganën e Bllatës, i njohur si “laluci”.
Ankesat i janë edhe në institucione të tjera të drejtësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe pranë strukturave të Doganës së Durrësit, krahas SPAK-ut.
Pavarësisht kësaj, nuk është bërë publik ndonjë rezultat verifikimi apo masë administrative lidhur me pretendimet e bizneseve.
Për të sqaruar situatën, skyweb.al u është drejtuar me një kërkesë zyrtare për informacion institucioneve ku, sipas burimeve, janë depozituar denoncimet, duke kërkuar të mësojë nëse ato janë regjistruar, nëse kanë nisur verifikimet dhe çfarë masash janë ndërmarrë, të cilat do t’i bëjmë me dije sapo të kemi një përgjigje. /skyweb.al















