Inceneratori i Tiranës vijon të ekzistojë vetëm në letra dhe në faturat e buxhetit të shtetit, ndërsa qeveria ka parashikuar edhe 1 miliard lekë, ose rreth 10 milionë euro, për financimin e koncesionit gjatë vitit 2027.
Skyweb.al ka konsultuar relacionin e projektbuxhetit 2027, ku rezulton se kontrata për ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe prodhimin e energjisë elektrike në Tiranë vijon të përfitojë fonde publike, megjithëse impianti i djegies së mbetjeve nuk është ndërtuar.
Sipas tabelës së kontratave koncesionare dhe partneriteteve publike-private, për vitin 2027 është planifikuar një fond prej 1 miliard lekësh, ndërsa për vitin 2026 buxheti i rishikuar parashikon 1.33 miliardë lekë.
Pagesat do të vijojnë edhe në vitet e ardhshme. Për vitin 2028 janë parashikuar 1.1 miliardë lekë dhe për vitin 2029 edhe 1.2 miliardë lekë të tjera.

Pra, vetëm gjatë periudhës 2027–2029, qeveria planifikon të shpenzojë 3.3 miliardë lekë për një koncesion, investimi kryesor i të cilit, inceneratori, nuk është realizuar.
Kontrata është lidhur në vitin 2017 me kompaninë Integrated Energy BV SPV dhe sipas dokumenteve buxhetore ka afat përfundimi në vitin 2047.
Edhe pse projekti parashikonte ndërtimin e një impianti për djegien e mbetjeve dhe prodhimin e energjisë elektrike, në Sharrë vijon aktiviteti i depozitimit dhe trajtimit të mbetjeve, pa impiantin e incenerimit.
Pavarësisht kësaj situate, pagesat nga buxheti kanë vijuar rregullisht. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, të përpunuara nga Monitor, për periudhën 2017–2025 janë paguar rreth 8.4 miliardë lekë për këtë kontratë.
Vetëm gjatë vitit 2025 janë paguar 913 milionë lekë, ndërsa shoqëria koncesionare, e vendosur nën sekuestro, ka raportuar fitim neto prej rreth 673 milionë lekësh.
Inceneratori i Tiranës është një nga projektet e përfshira në hetimet e SPAK për aferën e inceneratorëve, ndërsa mosrealizimi i investimit ka qenë një nga çështjet kryesore të ngritura në lidhje me kontratën.
Megjithatë, në projektbuxhetin e vitit 2027, qeveria vijon ta trajtojë këtë koncesion si një detyrim financiar që duhet mbuluar me paratë e taksapaguesve.
Madje, fondet janë planifikuar edhe për vitet pasardhëse, duke e mbajtur të hapur faturën e një projekti që prej afro një dekade nuk ka arritur të realizojë impiantin për të cilin u prezantua dhe u miratua. /skyweb.al















