Skyweb.al ka analizuar tabelat e projektbuxhetit 2027, nga ku rezulton se Ministrisë së Mbrojtjes i janë akorduar 76.61 miliardë lekë, ndërsa Ministrisë së Arsimit 67.95 miliardë lekë.
Diferenca është rreth 8.66 miliardë lekë, ose mbi 90 milionë euro më shumë në favor të Ministrisë së Mbrojtjes.

Ajo që bie në sy është pesha e shpenzimeve ushtarake, të cilat zënë pjesën më të madhe të buxhetit të kësaj ministrie.
Sipas dokumenteve, 43.7 miliardë lekë, ose rreth 57% e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, janë planifikuar për shpenzime kapitale. Një nga zërat kryesorë është programi “Forcat e Luftimit”, për të cilin janë parashikuar 36.37 miliardë lekë financim nga buxheti i shtetit.
Vetëm investimet kapitale të këtij programi arrijnë në rreth 24.53 miliardë lekë, ndërsa 12.5 miliardë lekë të tjera janë planifikuar si financim i huaj.
Ndërkohë, për programin “Mbështetja e Luftimit” janë planifikuar 12.2 miliardë lekë, ndërsa për emergjencat civile 3.28 miliardë lekë nga financimi i brendshëm.
Në anën tjetër, Ministria e Arsimit do të administrojë një buxhet prej 67.95 miliardë lekësh, ku peshën kryesore e zënë pagat e mësuesve, financimi i arsimit parauniversitar, universitetet dhe investimet në shkolla.
Vetëm për arsimin bazë dhe parashkollor janë parashikuar rreth 37.99 miliardë lekë, ndërsa arsimi i mesëm i përgjithshëm do të financohet me 12.31 miliardë lekë. /skyweb.al















