Rruga e Arbrit do të vijojë të marrë një pjesë të konsiderueshme të fondeve publike edhe gjatë vitit 2027, duke zënë rreth një të tretën e të gjitha pagesave që qeveria ka parashikuar për kontratat koncesionare dhe partneritetet publike-private (PPP).
Sipas të dhënave të projektbuxhetit 2027, të konsultuara nga Skyweb.al, për këtë aks rrugor janë planifikuar 3.36 miliardë lekë, ose rreth 35 milionë euro, të cilat do të shkojnë për shlyerjen e detyrimeve ndaj kompanisë koncesionare.
Në total, qeveria parashikon të shpenzojë 10.05 miliardë lekë për tetë kontrata aktive PPP gjatë vitit të ardhshëm, nga të cilat vetëm Rruga e Arbrit përfiton 33.4% të shumës.
Fatura e këtij koncesioni nuk kufizohet vetëm në vitin 2027. Dokumentet buxhetore tregojnë se për vitet 2028 dhe 2029 janë programuar pagesa identike, nga 3.36 miliardë lekë secili vit.
Kjo do të thotë se vetëm gjatë periudhës 2027–2029, buxheti i shtetit parashikohet të paguajë 10.08 miliardë lekë, ose mbi 100 milionë euro, për Rrugën e Arbrit.
Nga shqyrtimi i tabelave rezulton se pagesat për këtë projekt kanë qenë të konsiderueshme edhe gjatë viteve të mëparshme.
Në vitin 2023 janë paguar 2.84 miliardë lekë, në vitin 2024 rreth 3.5 miliardë lekë, ndërsa gjatë vitit 2025 pagesat arritën në 3.36 miliardë lekë.
Edhe për vitin 2026, plani i rishikuar parashikon të njëjtën shumë prej 3.36 miliardë lekësh.
Duke mbledhur pagesat faktike të viteve 2023–2025 dhe ato të planifikuara për periudhën 2026–2029, rezulton një faturë prej rreth 23.15 miliardë lekësh vetëm për këto shtatë vite.
Ndërkohë, kontrata koncesionare për ndërtimin dhe operimin e Rrugës së Arbrit, e nisur në vitin 2018, figuron me afat përfundimi në vitin 2031.
Kjo nënkupton se detyrimet buxhetore do të vijojnë edhe përtej periudhës trevjeçare të parashikimeve të detajuara në dokumentet e projektbuxhetit.
Për krahasim, koncesioni i shërbimeve laboratorike në spitale parashikohet të marrë 2.2 miliardë lekë në vitin 2027, ndërsa shërbimi i skanimit në dogana rreth 1.48 miliardë lekë.
Ndërkohë, për inceneratorin e Tiranës është planifikuar 1 miliard lekë, për portin e jahteve Orikum-Dukat 767 milionë lekë dhe për autostradën Milot-Morinë 590 milionë lekë.
Rruga e Arbrit mbetet kështu kontrata me peshën më të madhe në pagesat vjetore të PPP-ve, duke marrë më shumë fonde se çdo koncesion tjetër i mbështetur drejtpërdrejt nga buxheti.
Sipas Ministrisë së Financave, pagesat e përgjithshme për PPP-të gjatë vitit 2027 do të ulen krahasuar me vitin 2026, kryesisht për shkak të përfundimit të disa kontratave në sektorin e shëndetësisë.
Megjithatë, për Rrugën e Arbrit fatura mbetet e pandryshuar, me 3.36 miliardë lekë të tjera që do të paguhen çdo vit deri në vitin 2029, sipas parashikimeve aktuale buxhetore. /skyweb.al















