Detaje të tjera dalin nga dosja e SPAK në lidhje me fotografinë e një kutie të kuqe me tufa kartëmonedhash 50-euroshe, për të cilën Prokuroria e Posaçme po kërkon të identifikojë pronarin e parave.
Këtë herë bëhet fjalë për dëshminë e Lavdrim Smones, bashkëshortit të pastrueses Lavdie Smone, e cila punonte në kompleksin White Rocks në Dhërmi, përfshirë edhe vilën në pronësi të Igli Tares, ku disa vite më parë qëndronte herë pas here për pushime edhe ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Lavdrim Smone është marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së për fotografinë e datës 17 korrik 2021, e cila është gjetur në telefonin e bashkëshortes së tij dhe rezulton të jetë dërguar nga kontakti i regjistruar me emrin “Babi”, i identifikuar si ai vetë.
Smone ka mohuar të ketë realizuar apo dërguar fotografinë e kutisë me euro.
“Pasi u njoha me foton deklaroj se nuk e kam parë kurrë këtë foto dhe nuk di ta kem çuar unë këtë foto”, është shprehur ai para agjentëve të BKH-së.
Bashkëshorti i pastrueses ka deklaruar gjithashtu se gjatë kohës që kishte qenë në vilën në Dhërmi nuk kishte parë asnjëherë para.
“Në vilën në Dhërmi ku punon bashkëshortja ime unë nuk kam parë asnjë herë asnjë lek. Nuk e di kush e ka bërë këtë foto dhe as kush e ka çuar”, ka deklaruar Smone.
Një tjetër element i dëshmisë lidhet me faktin se ai ka pranuar të ketë realizuar fotografi dhe video të ambienteve të vilës, por ka shpjeguar se kjo bëhej për arsye pune.
Sipas tij, fotografitë shërbenin për të dokumentuar gjendjen e ambienteve pas përfundimit të pastrimit dhe për të shmangur pretendimet e mundshme se puna nuk ishte kryer siç duhej.
“Foto dhe video kam bërë për arsye pune. Për të treguar se vila dhe ambientet e saj kanë qenë në rregull”, ka deklaruar ai.
Dëshmia e tij është pjesë e materialeve të administruara nga SPAK lidhur me vilën në Dhërmi dhe fotografinë e kutisë me euro, vendndodhja e realizimit të së cilës është një nga elementet që po shqyrtohen.
Më herët, në pyetje është marrë edhe bashkëshortja e tij, Lavdie Smone, e cila ka deklaruar se kryente shërbime pastrimi në gjashtë vila të ndryshme në kompleksin White Rocks.
Ajo ka mohuar të kishte dijeni për fotografinë, duke deklaruar se nuk e kishte parë kurrë më parë, pavarësisht se ishte gjetur në telefonin e saj.
Edhe vajza e çiftit, M. Smone, e cila ka konfirmuar se kishte shkuar dy herë në vilë për të ndihmuar të ëmën me pastrimin, ka mohuar të ketë parë para në banesë.
Ajo ka deklaruar se as në bisedat me prindërit nuk ishte diskutuar ndonjëherë për para të gjetura në vilë apo për fotografi të tilla.
Dëshmia e plotë e Lavdrim Smones para BKH-së
Pyetje: Po ju vendosim në dispozicion një fotot të gjetur në telefonin e bashkëshortes tuaj, në të cilën shfaqet një kuti e kuqe me tufa kartmonadhash 50 euroshe. Kjo foto rezulton se është dërguar nga ju. Çfarë mund të na thoni për këtë foto?
Përgjigje: Pasi u njoha me foton deklaroj se nuk e kam parë kurrë këtë foto dhe nuk di ta kem cuar unë këtë foto. Në vilën në dhërmi ku punon bashkëshortja ime unë nuk kam parë asnjë herë asnjë lek. Nuk e di kush e ka bërë këtë foto dhe as kush e ka cuar.
Pyetje: Keni bërë foto apo video të ambienteve të vilës në dhërmi?
Përgjigje: Foto dhe video kam bërë për arsye pune. Për të treguar se vila dhe ambientet e saj kanë qënë në rregull. Nuk ma ka kërkuar njeri ti bëjë këtë video apo foto, por unë i bëje që nëse do të ketë pretendime që puna nuk është bërë unë ta kem të dokumentuar.
Pyetje: Keni diçka tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Jo, nuk kam.
















