Mijëra përdorues të Apple në Shtetet e Bashkuara janë përballur këtë të martë me probleme në aksesin ndaj disa prej shërbimeve kryesore të kompanisë, përfshirë App Store, iCloud, Apple Music dhe Apple Pay.
Ndërprerjet nisën gjatë paradites së 17 nëntorit, duke shkaktuar vështirësi në shkarkimin e aplikacioneve, hyrjen në llogaritë personale dhe përdorimin e disa shërbimeve online.
Problemet u konfirmuan edhe nga vetë Apple përmes faqes zyrtare të statusit të sistemeve, ku u evidentuan ndërprerje në App Store, Apple Music dhe AppleCare on Device, si dhe probleme me identifikimin e përdoruesve në iCloud.
Sipas platformës Downdetector, mijëra përdorues raportuan vështirësi me shërbimet e kompanisë. Një rritje e ndjeshme e ankesave u regjistrua edhe për Apple Pay, platformën e pagesave elektronike, megjithëse Apple nuk konfirmoi një ndërprerje të përgjithshme të këtij shërbimi.
Pas disa orësh problemesh, kompania amerikane konfirmoi se shkaku i ndërprerjeve ishte një përditësim i brendshëm i sistemeve të saj.
Në një reagim për Associated Press, Apple bëri të ditur se një pjesë e madhe e shërbimeve kishin rifilluar funksionimin, ndërsa po punohej për rikthimin e plotë të sistemeve të prekura.
Incidenti vjen në një periudhë kur disa prej kompanive dhe institucioneve më të mëdha amerikane janë përballur me defekte të rëndësishme teknologjike.
Vetëm një ditë më parë, problemet në sistemet e bankës JPMorgan Chase shkaktuan vështirësi në përpunimin e transaksioneve, me pasoja edhe për klientët e institucioneve të tjera financiare.
Ndërkohë, kompania ajrore United Airlines u përball të hënën me një ndërprerje të sistemeve të saj, e cila zgjati mbi 90 minuta dhe shkaktoi vonesa në nisjen e fluturimeve.
Ditët e fundit, probleme të mëdha teknike kanë prekur gjithashtu shërbimet e Microsoft, duke ndërprerë përkohësisht funksionimin e platformave të përdorura nga miliona individë, biznese dhe institucione.
Megjithatë, deri tani nuk ka prova që ndërprerjet e Apple, sistemit bankar dhe kompanive të tjera të kenë lidhje me njëra-tjetrën apo të jenë shkaktuar nga i njëjti problem teknik.
Seria e incidenteve ka nxjerrë sërish në pah varësinë e madhe të ekonomisë dhe shërbimeve të përditshme nga infrastruktura dixhitale, ku edhe një defekt i brendshëm mund të prekë një numër të madh përdoruesish.















