Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, rikonfirmoi mbështetjen për aktorin dhe aktivistin Florjan Binaj si kandidat të pavarur për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme vendore.
I ftuar përmes një lidhjeje live në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lapaj u pyet nga moderatori Ylli Rakipi lidhur me qëndrimin e tij për garën për kryeqytetin. Ai deklaroi se që vitin e kaluar kanë marrë një vendim për të mbështetur Binajn si kandidat të pavarur, duke e vendosur këtë zgjedhje përtej interesave partiake.
Lapaj theksoi se mbështetja për Binajn do të vijojë edhe në zgjedhjet e ardhshme, duke nënvizuar se do t’i qëndrojnë këtij vendimi deri në fund. Sipas tij, tërheqja nga kjo mbështetje do të ishte një shkelje e besimit ndaj një qytetari që vendosi të dalë mbi partitë politike dhe të kandidojë si i pavarur, duke iu përmbajtur parimeve të tij. /skyweb.al
















