Kompanitë që fitojnë tenderë publikë në Shqipëri mund të kenë së shpejti mundësinë që t’ua kalojnë pjesën dërrmuese të punimeve kompanive të tjera, përmes nënkontraktimit.
Qeveria propozon heqjen e kufirit maksimal prej 50% për nënkontraktimin e kontratave publike, duke mos përcaktuar një tavan tjetër në vend të tij.

Ndryshimi është reflektuar tashmë edhe në projektvendimin për rregullat e prokurimit publik, pas propozimit për ndryshimin e ligjit për prokurimin publik.
Aktualisht, rregullat e prokurimit përcaktojnë shprehimisht se “në asnjë rast nënkontraktimi nuk duhet të tejkalojë 50% të vlerës së kontratës”.
Siç konstaton skyweb.al, pikërisht kjo dispozitë propozohet të shfuqizohet.
Aktuakisht, një kompani që fiton një tender prej 20 milionë eurosh për ndërtimin e një rruge për shembull, mund të nënkontraktojë maksimumi 10 milionë euro. Me ndryshimet e propozuara, kjo vlerë mund të jetë edhe 15 apo 18 milionë euro, nëse plotësohen kushtet përkatëse.
Heqja e kufizimit rrezikon të nxisë një model biznesi të bazuar më shumë te lobimi për sigurimin e kontratave publike sesa te realizimi i drejtpërdrejtë i punimeve. Kompanitë fituese mund të marrin gjithnjë e më shumë rolin e ndërmjetësit, duke ua shpërndarë punimet kompanive të tjera.

Kjo ngre pikëpyetje edhe mbi diferencën ndërmjet çmimit që paguan shteti për një kontratë publike dhe kostos me të cilën nënkontraktorët realizojnë faktikisht punimet.
Qeveria e argumenton ndryshimin me nevojën për përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat europiane, të cilat synojnë të nxisin konkurrencën, specializimin dhe pjesëmarrjen e bizneseve të vogla në kontratat publike.
Paralelisht me heqjen e kufizimit, projektvendimi parashikon verifikimin e dokumentacionit të nënkontraktorëve, njoftimin e institucioneve për ndryshimin e tyre gjatë realizimit të kontratës, si dhe mundësinë e kontrollit të hallkave të tjera të zinxhirit të nënkontraktimit.
Kompania fituese do të vijojë të mbajë përgjegjësinë për realizimin e kontratës ndaj institucionit publik, ndërsa transferimi i plotë i kontratës te palët e treta mbetet i ndaluar sipas dispozitave të rregullores që nuk propozohen të ndryshohen. /skyweb.al















