Përdorimi i hormoneve për shtimin artificial të peshës së kafshëve do të përballet me kontrolle më të ashpra dhe kufizime të reja ligjore. Projektligji i ri “Për produktet mjekësore veterinare” i konsultuar nga skyweb.al, ndalon përdorimin e paligjshëm të substancave me veprim hormonal ose tireostatik dhe të beta-agonistëve te kafshët që prodhojnë ushqim.
Qëllimi është të parandalohet që mbetjet e këtyre substancave të përfundojnë në mish, qumësht, vezë apo produkte të tjera shtazore të konsumuara nga qytetarët.
Autoritetet veterinare do të kenë të drejtë të kryejnë inspektime pa paralajmërim në ferma, stabilimente, magazina dhe subjekte që tregtojnë produkte veterinare.
Kontrollet do të përfshijnë marrjen dhe analizimin e mostrave nga indet dhe lëngjet trupore të kafshëve, si dhe nga uji, për të zbuluar mbetje të substancave të ndaluara.
Prodhuesit dhe tregtarët e këtyre produkteve do të duhet të mbajnë regjistra kronologjikë me sasitë e prodhuara, të blera, të shitura dhe personat që i kanë marrë ato.
Projektligji parashikon kufizime edhe për importet.
Shqipëria mund të ndalojë importimin e kafshëve, mishit dhe produkteve shtazore nga vende që lejojnë përdorimin e stilbeneve, substancave tireostatike dhe produkteve të tjera të ndaluara.
Ndalimi do të zbatohet edhe për mishin që vjen nga kafshë të trajtuara në kundërshtim me rregullat e reja.
Megjithatë, përdorimi i disa substancave për arsye mjekësore nuk përjashtohet plotësisht.
Trajtimet terapeutike ose zooteknike do të lejohen vetëm nën përgjegjësinë e veterinerit, për kafshë të identifikuara dhe me regjistrimin e detyrueshëm të çdo mjekimi.
Kafshët e trajtuara mund të tregtohen vetëm pasi të ketë përfunduar koha e përcaktuar e pritjes, në mënyrë që produktet ushqimore të mos përmbajnë mbetje të rrezikshme.
Produktet hormonale që nuk mund të kontrollohen përmes analizave ose që qëndrojnë për një periudhë të gjatë në organizmin e kafshës nuk do të autorizohen. /skyweb.al
















