Edhe kur pushimet nisin në mënyrën më të mirë, me hotel komod, temperaturë ideale dhe një ditë relaksi, nata e parë mund të mos jetë aq çlodhëse sa pritej. Shumë njerëz e kanë më të vështirë të flenë, zgjohen më shpesh gjatë natës dhe të nesërmen ndihen sikur nuk kanë pushuar mjaftueshëm.
Shpjegimi mund të jetë ajo që ekspertët e quajnë “fenomeni i natës së parë”, një reagim i trurit kur flemë në një ambient të panjohur.
Sipas studiuesve të gjumit, truri nuk e trajton menjëherë një dhomë hoteli apo një banesë me qira si një vend plotësisht të njohur dhe të sigurt. Edhe nëse personi ndihet i qetë, një pjesë e trurit mbetet më vigjilente ndaj zhurmave dhe ndryshimeve në ambient.
Profesori i Psikiatrisë dhe studiuesi i gjumit në Universitetin e Pittsburgh-ut, Ahmad Mageli, ka shpjeguar për Associated Press se fenomeni vërehet te shumë njerëz sa herë ndryshojnë vendin ku flenë.
Sipas tij, gjatë natës së parë gjumi mund të reduktohet mesatarisht me rreth 20 deri në 30 minuta. Studimet kanë treguar gjithashtu se aktiviteti i disa zonave të trurit mbetet më i lartë, çka e bën gjumin jo vetëm më të shkurtër, por edhe më të lehtë.
Fenomeni raportohet më shpesh te fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit, por mund të prekë pothuajse këdo.
Ekspertët besojnë se pas këtij reagimi fshihet edhe një mekanizëm evolucionar. Në të kaluarën, fjetja në një territor të panjohur mund të sillte rreziqe, ndaj truri duhej të qëndronte pjesërisht në gjendje alarmi.
Sot rreziku mund të jetë vetëm një zhurmë korridori, frigoriferi i dhomës apo një dritë e vogël nga pajisjet elektronike, por mekanizmi i trurit vazhdon të funksionojë në mënyrë të ngjashme.
Lajmi i mirë është se fenomeni zakonisht zgjat pak. Pas natës së parë, truri fillon të mësohet me ambientin dhe gjumi tenton të normalizohet.
Megjithatë, në cilësinë e pushimit mund të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si temperatura e dhomës, zhurmat, dritat, fqinjët apo edhe ankthi se “nuk do të arrij të fle”.
Një natë e keqe gjumi mund të sjellë të nesërmen lodhje, nervozizëm, vështirësi në përqendrim dhe ulje të aftësisë për të marrë vendime.
Ekspertët rekomandojnë disa masa të thjeshta për ta kufizuar këtë efekt gjatë udhëtimeve. Mbajtja e një rutine sa më të ngjashme me atë të shtëpisë mund ta ndihmojë trupin të përshtatet më shpejt.
Një këllëf jastëku, një aromë e njohur ose një objekt i vogël nga shtëpia mund të krijojë gjithashtu një ndjesi familjariteti.
Rekomandohet që dhoma të mbahet e freskët dhe e errët, ndërsa para gjumit të reduktohet ndriçimi dhe përdorimi i telefonit apo ekraneve të tjera.
Nëse gjumi nuk vjen, ekspertët këshillojnë të mos qëndrohet gjatë në shtrat duke u përpjekur me zor për të fjetur. Është më mirë të ngriheni për pak kohë, të lexoni diçka nën një dritë të zbehtë dhe të riktheheni në shtrat kur të ndiheni të përgjumur.
Në fund, trurit mund t’i duhet thjesht pak më shumë kohë sesa pjesës tjetër të trupit për të bërë “check-in” në destinacionin e ri. /skyweb.al















