Një grup qytetarësh dhe aktivistësh janë mbledhur sot përpara ambienteve të SPAK, ku kanë njoftuar dorëzimin e librit “Albanian Files”, të cilin e cilësojnë si material provues për projektet e miratuara apo të planifikuara në zona të mbrojtura.
Aktivistët paralajmëruan gjithashtu se në ditët në vijim do të dorëzojnë edhe një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme.
Sipas tyre, libri përmban të dhëna për projekte të ndërtuara dhe të tjera që pritet të zhvillohen në zona të mbrojtura, ndërsa ngrihen dyshime se ndryshimet ligjore janë bërë në funksion të interesave të caktuara private.
“Kemi në dorë ‘Albanian Files’, për të gjitha projektet që janë ndërtuar dhe një pjesë që pritet të ndërtohen në zona të mbrojtura. Për ne ka të dhëna që ligji është ndryshuar me porosi”, deklaroi aktivistja Sidorela Vatnika.
Ajo e cilësoi librin si “armën e krimit”, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se përmes vendimmarrjeve të tij ka dëmtuar territorin dhe zonat e mbrojtura.
“Në ditët në vijim po përgatisim edhe kallëzim penal që do t’ia dorëzojmë Prokurorisë së Posaçme”, u shpreh Vatnika.
Sipas aktivistëve, në materialet e përfshira në libër ngrihen pretendime për shmangie të konsultimit publik, miratim ligjesh pas hartimit të projekteve konkrete dhe konflikt interesi mes vendimmarrjes politike, arkitektëve dhe bizneseve të përfshira.
Ata theksuan se kryeministri është njëkohësisht drejtues i Këshillit Kombëtar të Territorit dhe vendimmarrës kryesor për projektet strategjike në territor.
“Rama duhet të trajtohet dhe të hetohet si gjithë qytetarët e tjerë. Ne jemi këtu për të mbështetur SPAK, jo për drejtësi popullore”, tha Vatnika.
Dorëzimi i librit “Albanian Files” në SPAK vjen pas debatit të fortë publik për ndryshimet ligjore që prekin zonat e mbrojtura dhe projektet turistike të miratuara në bregdet dhe në zona me status të veçantë mjedisor.















