Google ka rënë dakord të paguajë 10 milionë dollarë për të blerë një pjesë të të dhënave të brendshme të Spirit Airlines, kompanisë ajrore amerikane që mbylli aktivitetin në muajin maj.
Sipas Forbes, të dhënat do të përdoren nga Google për trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale dhe përfshijnë qindra milionë email-e të punonjësve, mesazhe në Microsoft Teams, dokumente, tabela, kalendarë dhe të dhëna operative të kompanisë.
Përpara shitjes, informacionet që mund të identifikojnë individë do të anonimizohen.
Vlera e këtyre të dhënave rezultoi aq e lartë sa për to pati edhe një garë ofertash. Startup-i Mercor, i specializuar në të dhëna dhe inteligjencë artificiale, kishte ofruar 7.5 milionë dollarë, por Google e fitoi procesin me ofertën prej 10 milionë dollarësh.
Spirit Airlines, e njohur për fluturimet me kosto të ulët, mbylli aktivitetin në maj, e goditur nga çmimet e larta të karburantit dhe niveli i madh i borxheve.
Marrëveshja nxjerr në pah një treg të ri që po krijohet rreth të dhënave të kompanive të mbyllura. Për zhvilluesit e inteligjencës artificiale, materialet e brendshme të bizneseve po bëhen gjithnjë e më të vlefshme, pasi tregojnë mënyrën reale se si funksionojnë organizatat.
Email-et, bisedat e brendshme, kodet kompjuterike, dokumentet, kërkesat për mbështetje IT dhe proceset operative mund t’u japin modeleve të AI shembuj të komunikimit dhe punës së përditshme brenda kompanive.
Interesi për këto të dhëna është rritur edhe për shkak se kompanitë e inteligjencës artificiale kanë përdorur tashmë një pjesë shumë të madhe të përmbajtjes publike të internetit për trajnimin e modeleve të tyre.
Pikërisht për këtë arsye, kompanitë që mbyllin aktivitetin po shihen gjithnjë e më shumë si zotëruese të një aseti të ri: arkivave të tyre dixhitale.
Madje, startup-e që ndihmojnë bizneset të mbyllin aktivitetin, si SimpleClosure dhe Sunset, kanë nisur të ofrojnë edhe mundësinë e blerjes së të dhënave të këtyre kompanive për t’i përdorur në trajnimin e inteligjencës artificiale.
Rasti i Spirit Airlines tregon se edhe pas mbylljes së një kompanie, email-et, dokumentet dhe të dhënat e krijuara gjatë viteve mund të kenë një vlerë prej miliona dollarësh për industrinë e AI. /skyweb.al















